Mr.Sci.Dr. Bujar Gjikolli,
PhD candidate
Procedurat diagnostike radiologjike jonizuese përdoren edhe tek gratë shtatzëna, në situata të caktuara shëndetësore, duke respektuar me përpikëri principet rigoroze dhe duke pasur parasysh ndikimin negativ të rrezeve jonizuese në frytin që ajo bart në bark. Përndryshe, radiologët dhe radioteknikët e përgjegjshëm, në punën e tyre rutinore tek çdo paciente, duhen përjashtuar shtatzëninë e mundshme.
Kur pacientja nuk është e sigurt nëse ka mbetur shtatzënë, rekomandohet që kontrollimi me rreze jonizuese të shtyhet derisa të përjashtohet shtatzënia. Në rastet kur pacientja nuk e ka ditur se ka mbetur shtatzënë dhe është rrezatuar, duhet konsultuar se si të veprohet dhe të përcillet shtatzënia në konsultim me mjekun.
Dëmtimet e frytit në bark të shkaktuara me rrezatim jonizues nuk dallojnë nga dëmtimet e frytit në bark të shkaktuara nga barërat, infeksionet virale, trashëgimia, shkaktarët fizik ose kimik, etj.
Shkalla e dëmtimit të frytit varet nga faza e zhvillimit të tij në kohën kur i është ekspozuar ndikimit të rrezeve jonizuese.
▪ Fryti në bark është më i ndjeshmi në rrezet jonizuese 0 rëntgen, në mes të javës së 2-të dhe të 15-të të shtatzënisë ka ndikim në zhvillimin e trurit në rastet, kur doza e rrezatimit është më e madhe se 0.005 Gy (5 rad).
▪ Nëse doza fetale është më e vogël se 0,01 Gy (1 rad) rreziku teratogjen për frytin nuk është rritur aq shumë krahasuar në rreziqet tjera.
▪ Nëse doza fetale është 0,01-0,05 Gy (1-5 rad) ose deri 0,05-0,1 Gy (5-10 rad) rreziku teratogjen është pak i rritur.
▪ Nëse doza fetale është mbi 0,1 Gy (10 rad) ka arsye mjekësore të mendohet për ndërprerjen e shtatëzanisë.
▪ Nëse doza fetale është mbi 0,25 Gy (25 rad) ndërprerja e shtatzënisë është e pashmangshme.
▪ Nëse kontrollimet klasike me rreze rëntgen të organeve torakale, kokës dhe ekstremiteteve realizohen nga profesionist të edukuar sipas protokolleve të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pacientit, dozat fetale nuk tejkalojnë vlerën prej 0,02 Gy.
▪ Gjatë kontrollimit me tomografi të kompjuterizuar doza fetale mvaret nga shumë faktorë (numri i shtresave, trashësia e shtresave, rrotullimit spiral të gypit, etj) dhe ajo sillet prej 0,1 Gy (dozë e lejueshme) dhe 0,5 Gy (indikacion mjekësor për ndërprerjen e shtatzënisë).
Pyetjet më të shpeshta lidhur me shtatzëninë dhe përdorimin e rrezeve jonizuese
Çka është rregulli i ditës së dhjetë?
Rregulli i ditës së dhjetë vlen për femrat në moshën reproduktive (kur mund të mbeten shtatzënë). Sipas këtij rregulli kontrollimet me rreze rëntgen duhen bërë deri në ditën e dhjetë të ciklit menstrual të pacientes.
Cilat janë rreziqet për fëmijën nga incizimet me rreze rëntgen të dhëmbëve, ekstremiteteve, të organeve të gjoksit, kokës, gjinjve, tomografisë së kompjuterizuar të cilat nuk e ekspozojnë barkun drejtpërdrejtë?
Rreziqet për fëmijën janë minimale, në rastet kur incizimet me rreze rëntgen nuk janë të drejtuara në bark. Gjatë këtyre kontrollimeve rrezet janë të fokusuara në pjesën që incizohet dhe mbi bark përdoren mjetet mbrojtëse me përmbajtje të plumbit. Rrezatimi i shpërndarë dytësor është shumë i vogël për të bërë dëme frytit në bark.
A ekziston nivel i sigurt i eksponimit ndaj rrezeve rëntgen gjatë shtatzënisë?
Gjatë punës me pacient, përcaktimi i dozave për kryerjen e procedurave radiologjike bëhet për secilin pacient veç e veç. Kur përcaktohet domosdoshmëria e kontrollimit të shtatzënës për indikacione mjekësore, procedura për pacienten duhet të jetë e optimalizuar për pacienten, që të fitohet imazhi kualitativ.
Sa duhet të pres që të mbetem shtatzënë pas kontrollimit të bërë me rreze rëntgen, me të cilat unë i kam ekspozuar ovaret ose bashkëshorti im testiset?
Nuk ka fakte për dëmet që rrezet rëntgen mund të shkaktojnë në ovare dhe në spermë në dozat që përdoren për qëllime diagnostike. Nëse dëmet e mundshme ekzistojnë ato janë shumë të vogla. Ky lloj rrezatimi nuk mbetet në trup pas ndërprerjes së emetimit të saj.
Sa ka mundësi të mbetem sterile pas incizimit të trupit me rreze rëntgen?
Është pak e besueshme që të shkaktohet steriliteti testiseve apo ovareve nga sasia e rrezatimit e përdorur gjatë procedurave radiologjike diagnostike. Organet gjenitale të brendshme – gonadet janë radiosensitive – të ndjeshme në rrezet rëntgen. Vlerat e rrezatimit që shkaktojnë sterilitet të testiseve janë 3500 – 6000 mGy, dhe për gratë 2500 – 6000 mGy. Pasi që kontrollimet me rreze rëntgen realizohen me doza të ulëta, ato nuk mund të shkaktojnë sterilitet.
Jam shtatzëne dhe mjeku im më ka udhëzuar të bëjë kontrollimin me rezonancë magnetike për të vlerësuar gjendjen e kurrizit tim për dhimbje të belit. Nëse e bëjë rezonancën magnetike të belit, a jam duke e rrezikuar shëndetin e frytit tim?
Nuk ka të dhëna shkencore në literaturë se imazhimi rutinor diagnostik me rezonancë magnetike i realizuar tek shtatzënat do të shkaktoj efekte biologjike në frytin në bark.
Në cilën fazë të shtatzënisë zvogëlohet rreziku për dëmtimin e frytit nga rrezet jonizuese?
Pas javës së 20 të shtatzënisë, kur fryti është në tërësi i zhvilluar, ai më nuk është i ndjeshëm dhe bëhet rezistente dëmtimeve në zhvillim si pasojë ekspozimit në rreze jonizuese.
/Telegrafi/