Kino Lumbardhi është vendi ku javën e ardhshme do të interpretojnë kitaristja Tringa Sadiku dhe kitaristi Torrin Williams në kuadër të programit “Skaj Sessions” të Fondacionit Lumbardhi.
Sipas njoftimit, shtatori vjen me tingujt e kitarave, ku interpretimi në duo, do të sjellë muzikë të larmishme, raporton Telegrafi.
“Shtatori vjen me tingujt e kitarave të Tringa Sadikut dhe Torrin Williams, në një interpretim duo në Kino Lumbardhi. Më 6 shtator prej orës 20:00, ata do të performojnë një repertor të muzikës klasike që përmban ndjeshmëri e ritme të ndryshme, prej klasikes në barok, prej muzikës folklorike e popullore spanjolle e rimarrje të tjera bashkëkohore”, thuhet në njoftimin e Lumbardhit.
Aty theksohet se Tringa dhe Torrin, janë thellësisht të formuar për ekzekutim në kitarë.
“Tringa ka vijuar studimet në Kosovë dhe prej këtu ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme si brenda dhe jashtë vendit (Festiëal Akademia Gitary, Poloni; Berlin Guitar Festival, Gjermani; Dam Festival, Kosovë; Chopin Piano Fest, Kosovë, etj.)”.
“Ndërsa Torrin ka nisur të luajë në kitarë në Londër (Guildhall School of Music/Purcell School for Young Musicians) dhe ka patur debutimin e tij të parë në koncertin solo në Wigmore Hall”.
Të dytë, sipas njoftimit, janë studentë në Graz prej nga kanë nisur edhe bashkëpunimin e tyre dhe në Prizren vijnë në fillim të shtatorit për një mbrëmje të veçantë muzikore. /Telegrafi/