Mjekët zbulojnë se çfarë kërkojnë kur ekzaminojnë jetëgjatësinë e një pacienti dhe si mund të adoptoni sjelljet për veten tuaj.
Kur bëhet fjalë për plakjen, ka shumë faktorë që ju ndihmojnë të jetoni një jetë të përmbushur dhe të shëndetshme – që i tejkalojnë stërvitjet dhe ngrënien e shëndetshme (megjithëse edhe kjo është gjithashtu pjesë e rëndësishme).
“Plakja e mirë, për mendimin tim, përbëhet nga tre komponentë të ndryshëm. Këto kategori janë shëndeti fizik, lidhja emocionale dhe mbështetja mendore”, ka thënë Dr. Parul Goyal, një mjek geriatër në Vanderbilt Health në Nashville, citon HuffPost.
Këta elementë bashkohen për t’ju ndihmuar të jetoni një jetë shpërblyese, aktive dhe të shëndetshme.
Mjekët thonë se ka shumë sjellje që kontribuojnë në shëndetin tuaj fizik, emocional dhe mendor ndërsa plakeni, dhe ekzistojnë disa shenja të qarta që ju po kujdeseni për veten në këto mënyra.
Më poshtë, mjekët geriatër ndajnë treguesit se dikush po plaket mirë, së bashku me një këshillë të vogël nëse mendoni se nuk po ia arrini qëllimit:
I kushtoni kohë mësimit të gjërave të reja – njerëzit inkurajohen të mësojnë diçka të re derisa po plaken, qoftë një lojë e re, sport, gjuhë apo instrument muzikor.
Jeni të sinqertë për nevojat tuaja – “Kam nevojë për këtë…”; “Po ndihem i vetmuar…”; “Kam nevojë për dikë që të dal sonte…” etj.
Jeni pjesë e grupit – për t’i luftuar ndjenjat e vetmisë dhe izolimit, është e rëndësishme t’i forconi lidhjet tuaja sociale, qoftë me miqtë, familjen, grupin apo komunitetin tuaj.
I jepni prioritet shëndetit tuaj fizik – ngrënia e ushqimeve të shëndetshme dhe ushtrimet, janë të rëndësishme gjatë gjithë jetës duke përfshirë edhe plakjen.
I bëni gjërat që i pëlqeni – nuk është realiste të mendoni se nuk do të përballeni kurrë me një sëmundje apo lëndim, por kjo nuk do të thotë se nuk mund t’i bësh gjërat që të pëlqejnë, qoftë udhëtimi, mësimi i recetave të reja apo lojërat me familjen.
Bisedoni me mjekun tuaj për ilaçet që merrni – nëse ju është dhënë një medikament në të 50-at, nuk do të thotë se ai do t’ju shërbejë akoma 20, 30 ose 40 vjet më vonë.
Bëni plane për të ardhmen – është e rëndësishme të flisni me familjen dhe miqtë tuaj për atë që dëshironi të ndodhë nëse shtroheni në spital, nëse rrëzoheni ose nëse përjetoni humbje të kujtesës.
/Telegrafi/