Superkupa e Gjermanisë dhe Bundesliga, dy trofetë e fituar nga Carlo Ancelotti në sezonin e parë në krye të Bayernit nuk mjaftuan që italiani t’u shpëtonte kritikave.
Javën e kaluar Die Welt në analizën e saj shkruante se me Ancelottin Bayerni kishte ndalur procesin e rritjes, ndërsa së fundmi gazeta Kicker rendit 7 çështjet më delikate të cilat 58-vjeçari duhet t’i zgjidhë sa më shpejt për të mos vënë në rrezik sezonin e ri.
E para është çështja Lewandowski. Pak javë më parë sulmuesi polak u shpreh se ishte zhgënjyer nga fakti se trajneri dhe futbollistët e Bayernit nuk e kishin ndihmuar të shpallej golashënuesi më i mirë i Bundesligës. Kjo deklaratë nuk është pritur mirë në dhomat e zhveshjes së Bayernit. Mbetet për t’u parë nëse Ancelotti do të ndërhyjë apo problemin do ta zgjidhë vetë Lewa me shokët e tij të skuadrës.
Mjaft delikatë është edhe situata e Frank Ribery. Francezit nuk i ka pëlqyer që Ancelotti e ka zëvendësuar në disa ndeshje të rëndësishme, si ndaj Realit të Madridit në Ligën e Kampionëve. Në vitin e 11-të të kampionët në fuqi të Bundesligës, bankina për Ribery mbetet e rëndë. Me një rival të fortë si Coman, 34-vjeçari duhet t’i bëjë mirë llogaritë, transmeton Supersport.
Fundi i sezonit ishte i hidhur edhe për Jerome Boateng. Dëmtimet e shpeshta por edhe fakti që Ancelotti preferoi në qendër të mbrojtjes Humels dhe Javi Martinez në një ndeshje të rëndësishme siç ishte gjysmëfinalja e Kupës së Gjermanisë ndaj Bayernit e kanë lëkundur humorin e futbollistit të kombëtares Gjermane. Blerja e të riut Sule e ka rritur më shumë konkurrencën në mbrojtje, por nëse Jerome ruan qetësinë, askush nuk mund ta konkurrojë.
Duhet zgjidhur edhe çështja “Muller”. Në rreshtimin 4-3-3 nuk mund të jetë pjesë e formacionit, sepse nuk ka karakteristikat e Riberyt dhe Robbenit. Në ndërsa me 4-2-3-1, i preferuari është Thiago. Gjatë sezonit sa sapo u mbyll qëndroi në stol në pjesën më të madhe të ndeshjeve të rëndësishme. Nuk polemizoi pasi e kuptonte që nuk ishte në formë, por vështirë se do të pranojë të jetë në hije edhe sezonin që vjen.
Nuk duhet nënvlerësuar lamtumira e Lahm dhe e Xabi Alonsos si nga ana tektike edhe për karizëm e tyre në dhomat e zhveshjes. Ish kapiteni ishte lider i padiskutueshëm, ndërsa Alonsos nyja lidhte gjermanët me spanjollët. Askush përveç tij nuk kishte mundur t’i kërkonte llogari Vidalit, kur ishte e nevojshme. Atëherë lind pyetja: Cili do të jetë në gjendje të vërë rregull?
Ancelotti shpeshherë është kritikuar për sjelljen e butë me futbollistët. Ndoshta dikush ka përfituar, pasi janë shënuar disa vonesa të papranueshme gjatë seancave stërvitore. Ndoshta Carletto duhet të fillojë të ngrejë zërin.
Dhe në fund është radha e stilit të lojës. Me largimin e Xabi Alonsos, Bayerni ka humbur dirigjentin e orkestrës. Blerja e Tollisso mbulon disi këtë boshllëk, megjithatë diçka do të ndryshojë. Ritmi do të jetë më i lartë, ndoshta me humbjen disi të kontrollit të topit, por me vertikalizime më të shpejta. Pikërisht me këtë stil loje Bayerni i Heynkens, ishte vrasës në kundërsulm në sezonin e triufmit të trefishtë.