Telegrafi

Pas shkarkimit të Ardita Sinanit, Shqiprim Arifi – kryetari i ri i Preshevës

Kuvendi i Preshevës ka votuar sot pro shkarkimit të Ardita Sinanit nga posti i kryetares së Preshevës.

Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, ku është shkarkuar kryetarja Ardita Sinani, është thirrur seanca e katërt për emërimin e kryetarit të ri.

Në këtë seancë të kuvendit komunal në Preshevë, me 20 vota PËR, Shqiprim Arifi u zgjodh kryetar i komunës.

Lexo po ashtu Kuvendi i Preshevës shkarkon Ardita Sinanin nga posti i kryetares

Ndërsa në pozitën e zëvendës kryetarit të komunës së Preshevës emërohet Almin Shaqiri.

Në seancën e sotme të kuvendit me shumicë votash u votua edhe lista e anëtarëve të këshillit komunal.

Në këtë mbledhje të rregullt këshilltarët e shumicës shkarkuan zëvendës sekretarin e kuvendit dhe emërohet Mendim Berisha në pozitën zv.kryetar kuvendi.

Sinani u shkarkua nga pozita e kryetares së Preshevës, pasi partnerët e koalicionit nga radhët e Lëvizjes për Reforma nuk patën vullnet ta vazhdojnë koalicionin, pa përmendur arsye specifike për largimin e tyre nga kryetarja Sinani dhe bashkimin me partinë e kryetarit nga Alternativa për Ndryshim.

Ardita Sinani është zgjedhur në krye të Preshevës më 21 maj të vitit 2021, si pjesë e Partisë për Veprim Demokratik (PVD).

Për kryetarin e ri të kësaj komune, Arifin, kjo është hera e dytë që vjen në pozitën e kryetarit, pas fitores që ai pati në zgjedhjet e prillit./Telegrafi/