Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se Lugina e Preshevës dëshiron që të bashkohet me Kosovën, megjithatë ka përmendur tri kushte për t’u realizuar një bashkim i tillë.
Arifi ka thënë se në rast vendoset për bashkim, atëherë duhet t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës të tri komunat e Luginës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, pa u ndarë asnjëra.
“Qëllimi jonë është që të jemi pjesë e Kosovës nëse përmbushen 3 kushte. E para, ne nuk duam që të na ndajnë. Lugina e Preshevës përbëhet nga Komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ne nuk duam që një komunë të mbetet në Serbi dhe dy tjerat të bashkohen. Ne nuk duam të jemi pjesë e pazareve me territore. Nëse bashkohemi, bashkohemi si tërësi, nëse mbesim, mbesim si tërësi”, ka thënë Arifinë një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, citojnë mediat.
Si kusht të dytë e ka përmendur që ndarja të mos bëhet afër qyteteve.
Ndërsa si kusht të fundit, Shqiprim Arifi, përmend koordinimin me SHBA-në dhe Evropën.
Ai thotë që nuk marrin kurrfarë vendimi pa pasur mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit.