Telegrafi

Shqipëri, shtohen përdoruesit e drogës

Në mungesë të heroinës, shumë të rinj injektojnë kombinime të disa medikamenteve, çka u sjell probleme të mëdha shëndetësore dhe në disa raste edhe vdekje.

“Kemi pasur një rritje të vdekjeve nga drogat sintetike, si amfetaminat, që nuk kanë qenë më pare”, deklaron mjeku Zihni Sulaj.

Profesor Sulaj tregon se një problem imediat me të cilin ata po përballen është mungesa e barnave si metadoni, apo natreksoni, të cilin pacientët duhet ta blejnë në treg.

“Medikamenti kryesor është vetëm metadoni, që ne s’kemi luksin ta japim këtu. Janë disa medikamente të shtrenjta dhe ende institucioni i siguracioneve nuk ka futur në listën me rimbursim këto medikamente”, pohon Sulaj.

Rreth 6% e popullsisë, të moshës 15 deri në 64 vjeç, janë përdorues të drogave në rang vendi. Numër të lartë përdoruesish nuk ka vetëm kryeqyteti, por edhe qytete si Gramshi, Laci, apo Bilishti.

Shumë prej këtyre të rinjve janë bartës te hepatit B dhe C. Mjekët specialiste kërkojnë hapjen e qendrave me më shumë shtretër, si dhe futjen e këtyre barnave në listën me rimbursim. /TCH/