Site icon Telegrafi

Shqipëri-Serbi, derbi i Ballkanit udhëheq listën e më të frikshmëve

“Siç e kemi parë edhe në ndeshjen e parë gjërat bëhen mjaft të ‘nxehta’ kur përballen këto dy ekipe.

Historia në mes të Serbisë dhe Shqipërisë është e gjatë dhe e komplikuar, por UEFA nuk bëri asgjë për ta ndalur këtë rivalitet dhe këtë përballje të rrezikshme, siç ka bërë me Spanjën dhe Gjibraltarin.

Dueli i parë në mes të serbëve dhe shqiptarëve ishte një kaos i vërtetë, i nisur nga një dron që fluturonte mbi stadium me flamurin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, shkruan gjiganti mediatik britanik “The Guardian”.

Përballjen e parë, të pambaruar në fushë, e fitoi Shqipëria 3:0 në tavolinë, ndërsa dueli i dytë do të zhvillohet të enjten në “Elbasan Arena”. Rivalitet, duele, emocione, drithërima e atmosferë e zjarrtë, të gjitha këto pritet të shihen në fushë dhe në tribuna, por shpresojmë që incidente të mos ketë.

Përpos Shqipërisë dhe Serbisë bota e futbollit ka njohur edhe duele tjera të zjarrta. Një prej tyre është edhe ajo ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Sa herë luajnë këto dy skuadra është e sigurt se mund të ndodhë ndonjë incident, për shkak të së kaluarës pasi të dyja vendet kishin zhvilluar një luftë të shkurtër.

Një tjetër përballje drithëruese është edhe ajo në mes të Brazilit dhe Argjentinës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se rivalin më të madh në futboll e kanë Meksikën. Kjo “armiqësi” është trashëguar edhe nga raportet e ftohta në mes të të dyja vendeve.

Përballje tjera të zjarrta konsiderohen edhe ato në mes të Gjermanisë e Holandës, Egjiptit me Algjerinë, Anglisë me Skocinë, Japonisë me Korenë e Jugut, Anglisë me Gjermaninë dhe Danimarkës me Norvegjinë, që e kompletojnë këtë Top 10-sh. Por, edhe duelet në mes të Qipros me Turqinë dhe Greqinë janë mjaft “fërkuese”, pastaj Armenia kur luan me Azerbajxhanin etj.
 

Exit mobile version