Site icon Telegrafi

Shqipëri-Kosovë, miratohen rregullat për bursën e energjisë ALPEX

Shqipëria dhe Kosova miratuan sot rregullat e tregut të energjisë elektrike për funksionimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX sh.a. Rregullat u miratuan nga bordet e dy institucioneve Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në Shqipëri, dhe Zyrës Rregullatore të Energjisë, në Kosovë.

Kryetari i Bordit të Energjisë Elektrike (ERE), Petrit Ahmeti deklaroi se miratimi i rregullave për funksionimin e ALPEX, vendos bazat për krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike të dy vendeve.

“Shqipëria dhe Kosova janë palë nënshkruese të Traktatit të Energjisë dhe janë zotuar në krijimin e një tregu konkurrues dhe transparent të energjisë, ndaj modelet e tregjeve të dy vendeve parashikojnë që nëpërmjet ALPEX të zbatohet modeli i synuar europian i tregut”, tha Ahmeti.

Sipas Ahmetit, fillimisht tregu i Ditës në avancë dhe brenda një dite është parashikuar të vendoset në dy zona ofertimi në Shqipëri dhe Kosovë, duke synuar në të ardhmen projekte për bashkëpunim me tregje të tjera potenciale. ALEPX do të fillojë me operimin e tregut të ditës në avancë në Shqipëri dhe më pas brenda një periudhe 2-mujore do të operojë me bashkimin e këtij tregu me atë të Kosovës. Sipas kalendarit, tregtimi i energjisë elektrike për tregun e ditës në avancë për Shqipërinë do të nisë përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2023.

Shqyrtimi i rregullave të ALPEX përmbylljen e kornizës rregullatore lidhur me krijimin e një tregu të përbashkët.

“Tregu i përbashkët i energjisë do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me energji elektrike për të dyja vendet, duke pasur parasysh se të dy vendet tona kanë sistem komplementar të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe do ti hapë rrugë tërheqjes së investimeve nga burimet e ripërtëritshme”, tha ai.

Roli i rregullatorëve të dy vendeve do të jetë mbikëqyrja e tregut. ALPEX-i ka si funksion të kryejë disa nga përgjegjësitë e Operatorit të Tregut në Shqipëri dhe Kosovë; të sigurojë funksionimin dhe operimin e duhur të platformës së tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe Tregun Brenda së Njëjtës Ditë.

Për të kryer funksionet e përcaktuara, ALPEX-i do të procesojë aplikimet për anëtarësim në Bursë; do të bëjë marrëveshje për pranimin e Anëtarëve të Bursës; do të përcaktojë kërkesat dhe procedurat e detajuara të tregtimit dhe Komitetin e Bursës, dhe t’i publikojë ato sipas procedurës; do të kryejë ankandet dhe operacionet e nevojshme tregtare, në përputhje me rregullat e miratuara, duke përdorur për këtë qëllim Algoritmin e Tregut të Bashkuar Evropian./atsh/

Exit mobile version