Telegrafi

Shqipëri, kompanitë italiane, investime gjigande në energjetikë

Hidrocentrali i Kalivaçit, ku kompania “Beggetti” po investon 150 milionë euro, pasohet nga të tjera projekte për ndërtimin e veprave energjetike në Shqipërisë, të cilat mbajnë firmën e investitorëve nga vendi fqinj

Kompanitë italiane janë shndërruar në investitorët kryesorë të vendit tonë në sektorin energjetik. Kjo për faktin se energjia është shndërruar në një problem për të gjithë rajonin e Ballkanit. Në këto kushte, ndërtimi i burimeve të reja prodhuese po shihet si mënyra më e mirë për të përballuar kërkesat në rritje. Investimi më i madh, i zbatuar deri tani nga vendi fqinj, është hidrocentrali i Kalivaçit, që ndodhet 25 kilometra larg qytetit të Tepelenës. Bëhet fjalë për një investim që kap vlerën e 150 milionë euro dhe që po realizohet nga një bashkëpunim i kompanisë italiane “Beggetti” me bankën gjermane, “Doice Bank”.

Punimet në këtë hidrocentral pritet të përfundojnë brenda dy viteve të ardhshme. Kjo është vepra e parë energjetike pas viteve ’90, që pason atë të hidrocentralit të Komanit. HEC-i i Kalivaçit, konsiderohet një burim shumë i rëndësishëm energjetik për vendin, pasi do të ndikojë në përballimin e kërkesave në rritje të vendit për energji si dhe në uljen e varësisë së sistemit tonë energjetik nga importi. Ecuria e deritanishme e punimeve është vlerësuar vazhdimisht nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.

Investimi prej 150 milionë euro në hidrocentralin e Kalivaçit konsiderohet më i madhi i bërë në 18 vitet e fundit në vendin tonë. HEC-i i do të ketë një fuqi të instaluar prej 96 megavat orë energji dhe prodhimi vjetor do të kapë nivelin e 400 milionë kilovat orëve. Ky hidrocentral do të bëhet pjesë e sistemit energjetik vendas dhe do të shërbejë për të plotësuar një pjesë të mirë të kërkesave të zonës për energji.

Të tjera projekte të kompanive italiane në sektorin energjetik shqiptar është ndërtimi i një centrali me erë në qytetin e Vlorës, miratuar pak muaj më parë nga qeveria, si dhe ndërtimi i dy linjave nënujore. Pjesë e planeve është edhe ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri, projekt që gëzon mbështetjen e Qeverisë së Berluskonit.

Ndërkohë, mësohet se një tjetër projekt gjigand, i propozuar nga italianët, ka mbërritur në tryezën e Qeverisë shqiptare.

Grupi italian “Marsilia”, i ka propozuar Tiranës zyrtare ndërtimin e një parku energjetik me fuqi prej rreth 385 megavatësh në rajonin e Lezhës, i cili do të përfshijë ndërtimin e dy parqeve me erë dhe një centrali me biomasë. Shoqëria italiane ka bërë të ditur se planifikon që të investojë 1 miliard euro në parkun e Lezhës, ku përveç burimeve të prodhimit do të përfshihet dhe ndërtimi i një linje tjetër nënujore, e cila do të transmetojë energjinë e prodhuar në Lezhë drejt Italisë. Tashmë, projekti ndodhet në tryezën e Qeverisë për të marrë autorizimin final, ku do të përcaktohet edhe se ç’pjesë e energjisë së prodhuar do të përdoret për konsum në Shqipëri.

Shqipëria dhe Italia po bashkëpunojnë gjithmonë e më shumë në fushën e energjisë elektrike. Bashkëpunimi dypalësh energjetik ka marrë të tjera dimensione pas vizitës së ish-kryeministrit italian Romano Prodi në Tiranë gjatë Dhjetorit të vitit të kaluar, vizitë e cila kulmoi dhe me një marrëveshje programore në fushën e energjetikës mes Kryeministrit Berisha dhe homologut të tij italian Prodi.

Kjo marrëveshje është pasuar nga një sërë projektesh gjigande energjetike, investime të kompanive italiane. Falë këtyre projekteve, Shqipëria jo vetëm do të kapërcejë një herë e përgjithmonë problemet energjetike, por do të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm në Rajon për sa i përket energjisë.