Telegrafi

“Shpresojmë që nga e hëna të kemi një mësimdhënës”, nxënësit e shkollës “Abaz Ajeti” në Gjilan vijojnë me vështirësi orën e edukatës fizike

Shkolla “Abaz Ajeti” në Gjilan po përballet me mungesën e një mësimdhënësi të edukatës fizikes dhe si rrjedhojë kjo mungesë ka bërë që nxënësit t’a vijojnë orën me vështirësi.

Drejtori i shkollës, Arsim Bejtullahu, tha për Telegrafin se prej se kur ka filluar viti i ri shkollor, po përballen me mungesën e një mësimdhënësi dhe sipas tij, arsimtari aktual detyrohet ta mbajë orën me nga dy klasë.

“Prej 1 shtatori, shkolla është në mungesë të një mësimdhënësi të edukatës fizike, i cili është në procedurat e rekrutimit që pritet të caktohet”, tha ai për Telegrafin.

Bejtullahu theksoi se brenda shkollës po zavëndësohen me mësimdhënësit që shkolla e ka aktualisht.

“Ne brenda shkollës po zavëndesohemi me mësimdhënësin që e kemi aktualisht, duke e mbajtur edukatën fizike me dy klasë. Kur ka me dy klasë, i mbanë me dy klasë, kur ka vetëm, e mbanë vetëm. Kjo është ajo çka ne po mundohemi të bëjmë, me e zavëndësu sepse nga jasht nuk mund të marrim zavëndesim tjetër”, tha tutje ai.

Bejtullahu tha se po shpresojnë që e hëna e  kësaj jave (16 shtator) të kenë një mësimdhënës të ri të edukatës fizike.

Ndryshe, Telegrafi ka adresuar pyetje edhe në Komunën e Gjilanit, për të parë nëse rekrutimi është në procedurat e fundit, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/