Telegrafi

Shpjegohet festa e re Jack Grealish që e mbajti premtimin pasi shënoi për Anglinë

(Foto: Screenshot/YouTube/Premier League/Getty Images)

Jack Grealish ishte njëri nga golashënuesit në demolimin që i bëri Anglia (6-2) Iranit në ndeshjen e parë të fazës grupore në Kampionatin Botëror.

Ylli i Manchester Cityt realizoi në minutën e 90-të, pikërisht golin e fundit të Tre Luanëve, ndërsa festa ishte e veçantë.

27-vjeçari hyri në lojë në minutën e 70-të dhe e gjeti golin, pasi gjithë punën e kreu Callum Wilson, i cili në fund asistoi te Grealish që nuk e pati të vështirë ta fuste topin në rrjetë.

Pasi realizoi, ai bëri një festim jo të zakonshëm duke lëvizur me supe dhe krahë, ndërsa prapa këtyre lëvizjeve qëndron një arsye e bukur.

Një tifoz 11 vjeçar i Cityt me emrin Finlay pati mundësinë ta takonte lojtarin e tij të preferuar këtë vit, pasi i kishte shkruar një letër emocionuese si pjesë e iniciativës së Ligës Premier, ‘Fan Mail’.

Krahas takimit, djaloshi kishte marrë edhe një fanellë me nënshkrimin e tij, ndërsa gjatë bashkëbisedimit, atij iu dha mundësia që të zgjidhte festimin e radhës së anglezit.

Finlay fillimisht i kërkoi ta bënte ‘krimbin’, por duke qenë se është e vështirë, Grealish i tha se mund të lëndohej. Pastaj, djaloshi i tha: “Në rregull, bëjë këtë” dhe filloi të lëvizte me krahët dhe supet e tij, gjë që futbollisti e bëri pas golit ndaj Iranit. /Telegrafi/