Telegrafi

Shpjegimi për anulimin e golit të Ziyech ndaj Belgjikës

(Foto: Screenshot/Twitter)

Yllit të Marokut, Hakim Ziyech, iu anulua një gol ndaj Belgjikës në ndeshjen e raundit të dytë të fazës grupore në Kampionatin Botëror, pas intervenimit të VAR-it.

Mesfushori e dërgoi një gjuajtje të lirë drejt në portë, me topin që vetëm iu afrua, por nuk i preku kokat e dy bashkëlojtarëve të tij.

Njëri nga këta dy lojtarë ishte në pozitë jashtë loje kur u ekzekutua gjuajtja e lirë.

Edhe pse nuk e preku topin, ai po qëndronte drejtpërdrejt në rrugën e portierit të Belgjikës, Thibaut Courtois, prandaj sigurisht që po ndërhynte në lojë.

Vendimi ka mundur të merret drejtpërdrejt nga gjyqtari, pa ndërhyrjen e VAR-it, mirëpo tashmë është bërë shprehi intervenimi i dhomës së video-asistencës, në mënyrë që të shmanget ndonjë gabim në rastet e golave.

Duke qenë një pozicion objektiv jashtë loje, VAR mund të ndërhyjë për të mos lejuar një gol. /Telegrafi/