Site icon Telegrafi

SHPIRTVRARË …

Poezi nga: Alfonsina Storni
Përktheu: Bajram Karabolli

Në këto vargje jam aq shpirtvrarë,
Shpirtvrarë, e vetme dhe e pikëlluar
Petalet lënë shkret e shpërndarë.

Shpirti si lulëkuqe mund të jetë,
Mund të jetë manushaqe a orkide,
Një shkrep, pyll, apo dallgë në det.

Endet shpirti si era që rënkon shumë
Ulërin kur shkon përtej mbi dete,
Dhe në greminë e bën të ëmblin gjumë.

Shpirt që altarë perëndish adhuron,
Perëndive që nuk ulen për ta fashitur;
Shpirt që asnjë pengesë nuk e ndalon.

Një shpirt që fare lehtë e zotëron
Çdo zemër që do të mund të çahej
Dhe gjakun e saj të ngrohtë i dhuron.

Shpirt që kur është në pranverë
I thotë dimrit që vonon: ku je?
Eja, dëbora mbi livadhe të bjerë.

Shpirt që kur dëbora çdo gjë mbulon,
Pikëllohet ngaqë bërtasin trëndafilat:
Ku je moj pranverë, pse po vonon.

Shpirt që flutura lëshon, herë-herë
Në fushë të hapur, pa parë largësitë
Dhe u thotë: thithni, çdo gjë që ka erë.

Shpirt që do të vdes nga një erë e mirë,
Nga një varg që lutet, nga një psherëtimë,
Pa e humbur e pa e prishur hijeshinë.

Shpirt që nuk di asgjë e gjithçka mohon,
Veç të mirën mohon e priret e nga të mira,
Duke e mohuar, t’i dorëzohet asaj shkon.

Shpirt që zakonisht ka si kënaqësi
Të prek shpirtra e mbresa të përçmojë,
Dhe me dorë të bëjë e të ndiej përkëdheli.

Shpirt që s’u pajtua as me veten e vetë,
Si era endacake bredh e vjen vërdallë;
Shpirt që kullon gjak e bën si i marrë
Anije që udhëton nëpër yje kërkon të jetë.

Exit mobile version