Një ngjarje e rëndë mund të kishte ndodhur një ditë më parë në Pogradec, por fatmirësisht u parandalua. Një 30-vjeçar kishte dalë në dritaren e shtëpisë në katin e 6-të të një pallati dhe kërcënonte se do të hidhej. Por për fatin e tij, dy djem guximtarë bënë të mundur shpëtimin e tij nga akti ekstrem. Ata janë Ernesti dhe Eriku, të cilët tregojnë për Euronews Albania se si ndodhi ngjarja.
“Ka qenë rreth ora 2, para se të ishim në vendngjarje ishim në xhami. U nisëm për në shtëpi, dhe rrugës pamë njerëz që po bërtisnin. Pamë që një i ri po tentonte të vetëvritej, kishte hipur në motorin e kondicionerit. I them shokut, që do ngjitesha unë i pari. Ngjitem, niset edhe polici me ne, bashkë dhe shoku ynë. Kur hyra, ai që tentoi të vriste veten, goditi me bërryl mamanë dhe nëna e lëshoi. Unë e kapa tek jaka e bluzës dhe e tërhoqa”, tha Ernest Dautllari.
Eriku, i cili është vetëm 17 vjeç, tregon se personi që tentoi të hidhej nga lartësia, bërtiste dhe pretendonte se ndihej i padëshiruar në shoqëri dhe familje.
“Ai përdorte fjalë si ‘më bullizojnë’, ‘s’me do familja’, ‘nuk më duan’. Nuk dilte, rri nëpër lokale, ai përdorte lëndë narkotike”, tha Erik Oshafi.
Kohët e fundit problemet e të rinjve, si pasojë e depresionit apo ndikimit të rrjeteve sociale, janë rritur ndjeshëm, dhe gjithmonë e më tepër besimet fetare kanë dhënë mesazhe që ata t’i drejtohen besimit për të qenë njerëz të dobishëm për familjen dhe shoqërinë.