Site icon Telegrafi

Shpërthimet dëgjohen në të gjithë Bagdadin, shkaku i raketave të lëshuara në drejtim të ambasadës amerikane

Në orët e para të mëngjesit, të paktën tre raketa u hodhën në drejtim të ndërtesës së ambasadës amerikane në Bagdad, duke goditur kështu zonën ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe diplomatike të Irakut.

Një zyrtar ushtarak amerikan tha se alarmet e rrezikut janë dhënë, ndoshta për shkak të forcës së goditjes dhe konfirmoi se raketat ranë pranë ambasadës amerikane dhe bazës Union III, ku janë vendosur trupat e koalicionit ndërkombëtar anti-ekstremist.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse sistemet e mbrojtjes ajrore të ambasadës ishin aktivizuar apo nëse kishte dëme, raporton reuters.

Ndërkohë, forcat amerikane në bazat ushtarake në Irak dhe Siri janë përballur me më shumë se 70 sulme që nga mesi i muajit tetor që janë marrë përsipër nga organizata ombrellë e grupeve të armatosura myslimane shiite irakiane.

Deri më tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për ndonjë sulm ndaj ambasadës amerikane të premten, i cili ndodhi rreth orës katër të mëngjesit të sotëm.

Në rrjetet sociale janë shfaqur video të shpërthimeve dhe sirenave, ndërsa përdoruesit kanë shkruar se janë dëgjuar të paktën 10, 12 të tilla. /Telegrafi/

Exit mobile version