Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe 150 tjerë janë lënduar sot, nga shpërthimet e fuqishme që ndodhën brenda një fabrike të mjeteve piroteknike në Indi.
Pamjet e publikuara nga televizionet indiane, shfaqin kullën e përfshirë nga zjarri si dhe shpërthimet që ndodhnin vazhdimisht, ku dhjetëra autoambulanca dhe helikopterë të ushtrisë u dërguan për të evakuuar të lënduarit, transmeton Telegrafi.
Pawan Kumar Sharma, zyrtar i lartë indian tha se të paktën 11 persona humbën jetën në zjarrin e madh, derisa ekipet e shpëtimit janë duke bërë të pamundurën të nxjerrin personat që kanë ngecur nën rrënoja.
Vlerësohet se rreth 150 persona janë lënduar, kurse pamjet nga zona përreth fabrikës shfaq tymin e zi të ngritej në qiell.
Akoma nuk dihet shkaku që çoi deri te shpërthimi i fuqishëm, kurse mjekët që pranuan të lënduarit thanë se lëndimet u janë shkaktuar nga shpërthimi i mjeteve të ndryshme piroteknike. /Telegrafi/