Site icon Telegrafi

Shpërthim në Kabul të Afganistanit i ndjekur nga të shtënat, raportohet për 10 persona të lënduar – tre sulmues të vrarë

Një shpërthim i fuqishëm i ndjekur nga të shtënat me armë zjarri sporadike goditi kryeqytetin afgan, Kabul, të martën pranë “Zonës së Gjelbër” shumë të fortifikuar të qytetit, një zonë ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe ambasadat e huaja, thanë zyrtarët.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, një zyrtar i lartë i sigurisë tha se shpërthimi duket se ishte shkaktuar nga një makinë bombë dhe objektivi i dukshëm ishte vendbanimi i një anëtari të parlamentit.

Shpërthimi ndodhi pranë shtëpisë së ministrit të Mbrojtjes së vendit, Bismillahi Mohammadi. Në një postim në Twitter, ministri tha se ishte “mirë”.

Një ndihmës ministror i tha agjencisë së lajmeve DPA se familja e ministrit ishte evakuuar pas sulmit.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Mirwais Stanekzai tha se persona të armatosur kanë hyrë në zonë pas shpërthimit.

Stanekzai tha se tre sulmues u vranë nga personeli i sigurisë dhe një operacion pastrimi po kryhej nga policia. Të gjitha rrugët që çojnë në shtëpinë e ministrit dhe te bujtina u mbyllën, shtoi ai.

Qindra banorë në zonë u zhvendosën në vend të sigurt, tha Ferdaws Faramarz, zëdhënës i shefit të policisë në Kabul. Ai tha se personeli i sigurisë po kërkonte shtëpi më shtëpi, nëse më shumë sulmues fshiheshin në zonë.

Të paktën 10 persona u plagosën në sulm dhe u dërguan në spitalet në kryeqytet, tha Dastgir Nazari, zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë.

Spitali i Urgjencës së qytetit tha në një postim në Twitter se deri më tani kishte pranuar gjashtë persona të plagosur në sulm.

Deri më tani asnjë grup nuk u deklarua përgjegjës për incidentin.

Gazetari James Bay i Al Jazeera-s duke raportuar nga Kabuli, tha se ky sulm në zemër të qytetit ngriti pyetje serioze në lidhje me sigurinë e Kabulit. /Telegrafi/

Exit mobile version