Në orët e mëngjesit të ditës së enjte, një bombë është hedhur në një kafene, në një nga rrugët e Beograd në Serbi.
“Rreth orës 5.40 të mëngjesit, një person i panjohur hodhi një mjet shpërthyes në një kafene. Askush nuk u lëndua, fasada, vitrina e dyqanit dhe dy vetura u dëmtuan”, kanë thënë për mediat serbe nga Ministria e Brendshme e Serbisë.
Siç raportojnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, hetimi është ende në vazhdim, dhe policia ka qenë në vend që nga orët e para të mëngjesit.
Fasada rreth kafenesë “u dogj dhe u plas”, ndërsa xhamat në derën e lokalit u thyen plotësisht.
Atje është parë një makinë zjarrfikësish, si një masë paraprake, sepse copëzat goditën rezervuarin e njërës prej makinave të parkuara aty pranë.
Si pasojë, edhe rruga është mbyllur për qarkullim. /Telegrafi/