Një vullkan në ishullin kryesor perëndimor të Japonisë, Kyushu, ka shpërthyer me nivelin e alarmit të ngritur në 5 – më i larti.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Sakurajima shpërtheu rreth orës 20:05 me kohën lokale të dielën, tha Agjencia Meteorologjike Japoneze.
Asnjë dëm nuk është raportuar, por gurët vullkanikë mund të shiheshin deri në 2 kilometra larg vendit, sipas kanalit televiziv publik NHK.
Nuk kishte gjithashtu shenja të “parregullsisë” në centralin bërthamor Sendai aty pranë, tha rregullatori japonez bërthamor.
Niveli i alarmit të shpërthimit është ngritur në 5, më i larti, me disa zona të këshilluara për evakuim, shtuan mediat lokale.
Zona më e afërt e banimit – qyteti i Kagoshima – është përtej gjirit nga vullkani dhe rreth 3 kilometra larg – por njerëzit ende mund të urdhërohen të evakuohen nga atje.
Sakurajima është një nga vullkanet më aktivë të Japonisë dhe shpërthimet e niveleve të ndryshme janë të shpeshta. /Telegrafi/