Telegrafi

Shpërthejnë trazirat në Bruksel, pas humbjes shokuese të Belgjikës ndaj Marokut

Një trazirë shpërtheu sot në rrugët e Brukselit gjatë ndeshjes së Kampionatit Botëror mes Belgjikës dhe Marokut.

Policët u vërsulën me topa uji dhe hodhën gaz lotsjellës, ndërsa tifozët e tërbuar të futbollit hodhën fishekzjarre, thyenin makina dhe u vunë flakën skuterëve.

Rreth 100 policë u përplasën me përkrahësit belg në kryeqytet gjatë lojës – e cila përfundoi me një humbje 2-0 për Belgjikën në Katar.

Pamjet tronditëse treguan makina që digjen në mes të rrugës dhe tifozët e tërbuar që thyenin xhama përpara se ta përmbysnin ato.

Video të tjera treguan mbështetësit marokenë të veshur me flamuj teksa vraponin nëpër rrugë.

Kryetari i bashkisë së Brukselit, Philippe Close dënoi dhunën dhe paralajmëroi njerëzit që të mos vijnë në qendër të qytetit.

Ai tha se ka urdhëruar policët të bëjnë arrestime.

“I dënoj fuqishëm incidentet që ndodhën pasditen e sotme”, deklaroi ai. “Policia tashmë ka vepruar ashpër, prandaj i këshilloj mbështetësit të mos vijnë në qendër.

Policia thuhet se është vendosur në shesin e Krishtlindjeve në kryeqytetin belg mes frikës për dhunë të mëtejshme.

Tensionet ishin rritur tashmë para fillimit të ndeshjes të së dielës, ndërsa fishekzjarre u hodhën pranë stacionit hekurudhor. /Telegrafi/