Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është pritur nga kryetari, Fadil Vokrri, ku ka parë kushtet dhe hapësirat ku punon FFK-ja.
Ministri Gashi dhe kryetari Vokrri biseduan për zhvillimet në futbollin e Kosovës, për objektin në të cilin është i vendosur federata dhe për mundësinë që pronësia e objektit të kalojë nën menaxhimin e federatës.
Ata po ashtu diskutuan për infrastrukturën sportive dhe investimet e shumta që po bënë MKRS-ja për të krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Por, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit duke thënë se stadiumin i Prishinës është pronë e komunës që ai udhëheq.
“Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka theksuar se ministri Kujtim Gashi duhet me e ditë që stadiumi i Prishtinës është pronë e Komunës së Prishtinës dhe që nuk ka nevojë me e larguar prej procesit të privatizimit, sepse nuk është ndërmarrje shoqërore. Kjo pronë komunale do të jetë në dispozicion të reprezentacionit tonë dhe Klubit Prishtina duke u bazuar në modelet e avancuara të menaxhimit të stadiumeve Komunale. Këtë e kemi diskutuar edhe me Federatën”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/