Site icon Telegrafi

Shpend Ahmeti prezanton zgjidhjen për trafikun në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, prezantoi sot reformën në transportin publik, që përveç tjerash përfshinë shtimin e linjave të autobusëve nëpër lagje dhe fshatra.

Sipas një njoftimi, në këtë drejtim do të bëhet integrimi i operatorëve privat me kontrata 5 vjeçare dhe 10 vjeçare, që do të kenë autobusë të standardeve më të larta, ashtu që të ndikojmë në uljen e ndotjes në Prishtinë.

“Intervenimet infrastrukturore që do të bëhen gjatë mandatit të ardhshëm dhe caktimi i rrugëve njëkahëshe, do të mundësojë që shumë më shpejtë të arrihet nga një pikë në pikën tjetër brenda qytetit”.

“Do të jenë gjithsej 20 linja, 7 nga të cilat qendrore dhe 13 periferike. Me këtë model, jemi siguruar që transporti publik t’iu shërbejë qytetarëve të secilës lagje dhe të secilit fshat. Bileta do të jetë e integruara, ashtu që me një pagesë të mund të ndërrohen disa autobusë brenda dy ore, derisa qytetari të arrijë në vendin e duhur”.

“Do të shtohen pritoret e autobusëve nëpër qytet, dhe brenda secilës do të jetë informatori dixhital. Përmes aplikacioneve që tashmë i kemi të gatshme, qytetarët do ta dinë saktë se sa larg është autobusi dhe për sa minuta do të arrijë në vendin e duhur”.

“Stacioni Qendror është një nga investimet e mëdha kapitale të mandatit të ardhshëm, dhe do të shndërrohet në qendër të lidhjes së transportit urban me atë ndër-urban”.

“Në 5 hyrjet kryesore të Prishtinës, do të ndërtohen hapësirat për konceptin “Park & Ride”. Aty do të ketë hapësirë të mjaftueshme për parkim, dhe do të caktohen vendet nga ku nisen autobusët. Kjo ndikon në efikasitetin e lëvizjes brenda Prishtinës, me ç’rast qytetarët do t’i parkojnë veturat e tyre, dhe do të shfrytëzojnë autobusët me të njëjtën pagesë për dy orët e ardhshme”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version