Site icon Telegrafi

Shota, vajza rebele e skenës

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Shota Baraliu ka mbaruar Akademinë e Arteve për aktore dhe me klipet e saj, është bërë një këngëtare e adhuruar për publikun. Ky adhurim ka ardhur edhe falë ekstravagancës së saj dhe pamjes së mjaft joshëse. Me ecurinë e çuditshme në fushën e muzikës ajo po i çudit konkurrentët e saj me surprizat që i ofron adhuruesve të muzikës. Një ndër më të veçantat është kënga ‘Adonis’, e cila ka qenë konkurrente gjysmëfinaliste në festivalin “Kënga Magjike”, në vitin 2009.

Shotën e kemi parë shumë shpesh në ekranin tonë, pasi ajo përveç këngëve ka marrë pjesë edhe si aktore në një nga serialet më të ndjekura në Kosovë, "Familja Moderne".

Pasionante, atraktive, moderne, këmbëngulëse, luftarake, e zgjuar dhe ëndërrimtare, Shota Baraliu rrëfen eksperiencat e saj jetësore, ku asgjë për të nuk është e pamundur.

Shota, ka një kohë që nuk ju kemi parë në ekran me ndonjë rol, por vonesa juaj duket se ka të bëjë me përzgjedhjen. Dua të them, nuk keni patur ofertë, apo nuk keni pasur gatishmëri?
Është e vërtet që ka disa muaj që nuk jam paraqitur si aktore në ndonjë rol. Por kjo nuk do të thotë që jam duke ndenjur.

Po ndonjë rol te ri, duket në horizont?
Shpresoj nga vjeshta të jem e angazhuar, sipas disa ofertave. Gjatë kësaj kohë kam punuar për një projekt fushate për trafikun rrugor. Shpresoj ta realizoj, sepse do të jetë një projekt gjigant. Kam dy oferta, shpresoj të jenë reale dhe të filloj punën si aktore që, mezi po pres, ahahah.

Je ndër këngëtaret që tërheqë vëmendjen duke bërë çmendurira. Në klipin “Call the police”, momentet e zbërthimit të pantallonave, skenat erotike ku ai të prek, i lënë të gjithë pa fjalë. Duket se, njëfarë guximi po iu përcjell vazhdimisht?
Në momentin që jam futur në botën e aktrimit, me modesti e them, kam qenë njëra ndër aktoret më të guximshme. Po ashtu, edhe në muzikë jam futur me një rrymë muzikore mjaft interesante dhe me tekste mjaft komike. Dëshira ime ka qenë që edhe klipet të jenë më ekstravagante, më artistike…

“Kënga Magjike” ka qenë një skenë fatsjellëse për ju…
“Kënga magjike” më 2009 ka qenë ndër hapat e parë që kam filluar në botën e muzikës. Nuk mund ta anashkaloj që dhe ka qenë fatsjellëse, më ka ec fati, bëri që publiku të më përkrah dhe të më do, duke e ditur se në Shqipëri nuk isha e njohur.

Dukesh që je tipi i këngëtares provokuese, qoftë në pamje, në këngë, në veshje. Pse ke zgjedhur të paraqitesh me këtë lloj forme?
Nuk është qëllimi im që të provokoj publikun, porse dua të jem më e veçantë…të më dallojnë nga të tjerat, hahahaha.

Je një nga emrat më të përfolur në media, ndoshta për shkakun se je shumë e drejtpërdrejtë…
Nuk di çka të them…ndoshta mediet janë mësuar të shohin persona fals, me maska në paraqitjet e tyre. Unë kam qejf të jem Shota e vërtet. Atë që e mendoj, e them pa asnjë paragjykim.

Si po gjendeni në këtë konkurrencë të femrave të bukura, ndiheni e rrezikuar nga konkurrenca, apo jeni e pakonkurrencë?
Nuk ndihem e rrezikuar, femra të bukura ka gjithandej. Mendoj që, secila këngëtare ka publikun dhe adhuruesit e vet. Adhuruesit, besoj se gjithmonë do t’i surprizoj me gjëra të reja dhe interesante.

Ku gjendet, aktualisht Shota Baraliu dhe ku frekuenton ajo?
Shota sigurisht që gjendet në mes të Prishtinës duke u marr me ca punë të vogla dhe duke shijuar fare rrallë jetën e natës, sepse nuk dua t’u bëhem bajat njerëzve, hahaha.

Nëse nuk ke punë, dashurohu, thotë një sentencë. Duket se ju keni punë, prandaj nuk po dashuroheni dot, apo ende po e mbani të fshehur.
Sigurisht që kam punë, por gjej kohë e dhe të dashurohem, ama nuk kam bërë asgjë publike, as që dua ta bëj për momentin. Ka një kohë të gjatë që shoqërohem me dikë, por nuk dua që ta bëj këtë publike. E dua vetëm për vete, haahah.

A e ke gjetur dikë të cilit do t’i dorëzoheshe?
Mund ta dashuroj, por nuk i dorëzohem njeriu, përveç Zotit, lart!

Thuhet se ajo femër që nuk ka një të dashur, ka shumë të dashur?
Nuk di çfarë të them për tjerat. Secila e ndërton jetën dhe dashurinë ashtu siç e mendon.

Po u dashurua dikush në ty, si do të reagonte shpirti (i bardhë) i Shotës?
Patjetër do ndihesha mirë kur të dashuron dikush me zemër. Ndjehesh mirë, ke vullnet për jetën dhe çdo gjë e merr me lehtësi. Edhe unë do ia ktheja shumëfish dashurinë atij personi.

Thonë se për fatin në dashuri është e nevojshme t’i kesh disa epshe. Cilat janë epshet tuaja?
Hahahah, kur vjen dashuria, nuk pyet për epshe…s’mund ta ndalësh, as ta largosh. Thjesht, duhet të ndjekësh zemrën dhe të vazhdosh ta duash në të gjitha mënyrat e mundshme, ahahah.

Ç’është ajo që kurrë nuk do ta kuptosh te mashkulli?
Një mashkull kur nuk e din as vet çfarë do prej jetës dhe prej teje, në atë moment nuk kisha mundur ta kuptoj.

Kur një mashkull konsiderohet një dështim?
Kur ka një femër të mirë në krah dhe nuk di ta dojë apo ta respektojë. Një mashkull i tillë është edhe ai që ka një punë të mirë dhe e humb nga budallallëku.

Thuhet, po ashtu se femra, muzika dhe dashuria nuk plaken kurrë?
Varet se si e ndërton jetën. Nëse i ke të gjitha gjërat në rregull, në jetë, punë dhe dashuri, njeriu nuk plaket kurrë, ndjehet më i ri, si përshembull, unë, ahahahahha.

Çka nuk ua fal miqve, e çka meshkujve?
Tradhtinë nuk mund t’ia fali askujt, as miqve, as të dashurit. Përderisa unë i respektoj dhe i dua, dua të ma kthejnë njëjtë dashurinë dhe respektin. Në momentin që më tradhton dikush, e humbas kontrollin…

Mendon se është interesante të luash paksa me seksin tjetër?
Nuk mendoj fare se është interesant të ndryshosh kahet seksuale vetëm e vetëm të provosh gjëra tjera. Kemi shumë gjëra tjera të mira që ta ndryshojmë monotoninë…

Gjatë bërjes dashuri a dëshiron të improvizosh?
Gjatë aktit, dua thjesht t’i kem gjërat para syve, t’i shijojë…jo të improvizoj.

Sipas mendimit tuaj, çka e detyron partnerin të tradhtojë dhe a do t’ia falësh të dashurit tuaj tradhtinë?
Ndoshta kur nuk është i kënaqur me femrën. Çdo partner tradhton, kërkon më mirë, por unë, nuk ma do mendja që do t’ia falja, sepse përderisa jam me të, nuk tradhtoj, as dua të ma bëj dikush këtë mua…se vaj halli pastaj, hahaha.

Në shpatullën e kujt mbështetesh kur je e mërzitur?
Pasi jetoj vetëm, kur jam e mërzitur, nuk mund të mbështetem te askush, por deri tani, kam përballuar çdo problem.

Të ka hasur ndonjëherë “sharra në gozhdë”?
Këtë sharrën në gozhdë nuk po e kuptoj si batutë, por sigurisht se edhe unë kam dështuar në dashuri.

Di që ke pirsing dhe tatuazhe…
Po kam pirsing sigurisht dhe dy tatuazhe; njëra simbolizon një njeri besnik (janë fërkemet e qenit) dhe, tjetra, është shkruar emri motrës sime që është 6 vjeçe (Ida) që e dua shumë.

Keni në plan ndonjë projekt, së afërmi?
Shpresoj që nga tetori e tutje të filloj me punë. Uroj të jem shëndosh e mirë.

Lutemi që të keni sa më shumë fantazi, role, këngë dhe dashuri, pa kufi.
Ju falënderoj për lutjen tuaj dhe iu siguroj që do të vazhdoj me fantazitë e mia në këngë, klipe pak të çmendura, por të lezetshme dhe të kuptueshme për publikun.

/Telegrafi/

Exit mobile version