Tifozët e futbollit janë në pritje që të mësojnë se me kë do të luajnë skuadrat e tyre të zemrës në rrethin e parë të fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Tashmë janë mbyllur të gjitha ndeshjet grupore të edicionit 2020/2021 dhe janë caktuar, pozitat e para dhe të dyta kualifikuese, nga të cilat do të formohen çiftet kundërshtare.
Kur dhe ku mbahet shorti për 1/8 e finales
Shorti për të tetën e finales do të zhvillohet sot (e hënë, 14 dhjetor) në zyrat e UEFA-s në Nyon të Zvicrës me fillim në orën 12:00. Evenimenti do të transmetohet drejtpërdrejtë në faqen e UEFA-s, ndërsa Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha detajet.
Si funksionon shorti
Zgjedhjet e skuadrave kundërshtare do të bëhen nga Vazo 1 dhe Vazo 2. Skuadrat që janë ndeshur me njëra-tjetrën në fazën grupore nuk mund të përballen, po ashtu as ekipet që vijnë nga i njëjti shtet. Ekipet nga Vazo 1 do të luajnë kundër ekipeve nga Vazo 2. Skuadrat që kanë përfunduar të parat në grup, takimin e parë e zhvillojnë si mysafir, kurse ndeshjen kthyese në shtëpi.
Skuadrat e kualifikuara
Vazo 1 (fituesit e grupeve)
Bayern Munich (Gjermani)
Borussia Dortmund (Gjermani)
Chelsea (Angli)
Juventus (Itali)
Liverpool (Angli)
Manchester City (Angli)
Paris Saint-Germain (Francë)
Real Madrid (Spanjë)
Vazo 2 (vendet e dyta në grupe)
Atalanta (Itali)
Atletico Madrid (Spanjë)
Barcelona (Spanjë)
Borussia Monchengladbach (Gjermani)
Lazio (Itali)
RB Leipzig (Gjermani)
Porto (Portugali)
Sevilla (Spanjë)
Kur zhvillohen ndeshje të tetës së finales
Sfidat e para të 1/8 së finales do të zhvillohen në datat 16, 17, 23 dhe 24 shkurt 2021, kurse ato kthyese më 9, 10, 16 dhe 17 mars 2021.
/Telegrafi/