Një grup i ekspertëve dhe aktivistëve nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Suedia, Irlanda, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova do të mblidhen në Prishtine për një konferencë dy-ditore mbi të drejtat digjitale. Këto të drejta nënkuptojnë kryesisht privatësinë, lirinë e të shprehurit dhe lirinë e mediave, por edhe të drejta tjera që cenohen sidomos me shfrytëzim të internetit dhe teknologjive tjera digjitale ne përgjithësi. Konferenca organizohet nga dy OQJ Kosovare, LENS dhe KCIC ndërsa financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Shoqëria civile në Kosovë, ashtu sikur edhe në rajon dhe botë, ka ngritur vazhdimisht shqetësime për keqpërdorimin e teknologjisë dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut që rrjedhin nga to. Në këtë aspekt ishte sidomos e zëshme shoqata për privatësi, media dhe teknologji LENS nga Prishtina, e cila është edhe bartës i këtij projekti. Në vitin 2016 është themeluar një rrjet i organizatave për mbrojtjen e të drejtave digjitale ku po ashtu bëjnë pjesë edhe STIKK, KDI, PEN, IKS, KS-Kosova, EC, QTSGJ, FIT, QKSS, INDEP, CSD, Kosovo 2.0 si dhe rrjeti CIVIKOS. Ky grup në vazhdimësi është duke i ngritur kapacitetet dhe forcuar bashkëpunimin me palët tjera me interes, si institucionet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare. Vlen të veçohet bashkëpunimi i mirë me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por edhe me autoritete tjera.
Pjesë e rëndësishme e përpjekjeve është edhe rrjetëzimi me organizata ndërkombëtare të cilat merren me këto çështje, prandaj edhe konferenca ku po marrin pjesë disa nga ato më të suksesshme dhe më eminente. Në Prishtinë me 7 dhe 8 Qershor, pra të mërkurën dhe të enjten, të interesuarit do të kenë rast të dëgjojnë prezantime nga Privacy International, Digital Rights Ireland, DEMOS, Big Brother Watch UK, si dhe aktivistë dhe akademik tjerë nga perëndimi dhe rajoni.
Në fjalët e ekspertit ndërkombëtar të angazhuar në projekt, Petrus Theuntisz, “Shoqëria civile e Kosovës i bashkohet një koalicioni të fuqishëm ndërkombëtar i cili po kontribuon ruajtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut në një formë tërësisht të re dhe deri vonë të panjohur.”
Konferenca do të zgjasë dy ditë, me pjesën paradite të dedikuar për prezantime ndërsa pas dite për panele tematike, ku do të diskutohet mbi balancën në mes të sigurisë dhe privatësisë, përhapjes së radikalizmit në internet, lirisë së mediave dhe privatësisë, organizimit të shoqërisë civile dhe agjendës së përbashkët, si dhe qasjes së gjyqësorit.
Për më shumë informata, vizitoni www.digitalrightskosovo.com.