Telegrafi

Shkupi humbet në shtëpi dhe i jep fund aventurës në Ligën e Evropës

FC Shkupi është përshëndetur nga garat evropiane të këtij edicioni, pasi u eliminua nga skuadra armene e Pjunik.

Ndeshja e parë ishte mbyllur 3-3 dhe kjo iu dha zemër tifozëve që nuk u ndalën së përkrahuri skuadrën e tyre të zemrës për gjatë gjithë ndeshjes.

Pjunik kaloi në epërsi me Artak Jedigarjan vetëm pas shtatë minutave lojë.

Pas këtij goli futbollistët “bardhekaltër” tentuan barazimin, mirëpo pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 31-të, Artem Simonjan nga afërsia shënoi edhe golin e dytë.

Në pjesën e dytë FC Shkupi luajti shumë më mirë, ndërsa që nga fillimi i saj tentonte golin.

Në minutën e 82-të sulmuesi kroat Jurina shënoi nga afërsia duke shfrytëzuar në maksimum asistin e Serginhos shënoi për 2-1.

Minutat e fundit sollën shumë tension, ndërsa kundërshtari nga Armenia me të gjitha forcat e mbrojti rezultatin. /Telegrafi./