Shkupi dhe Gostivari do të përballen ndërmjet veti në xhiron e pestë të Ligës së Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Nga tabori i ekipit nikoqir, para kësaj sfide ka folur mesfushori, Hamza Ramani, i cili thotë se Shkupi kërkon fitoren e parë të sezonit para tifozëve “Shvercerat”.
“Ndeshja kundër Gostivarit është e një rëndësie të madhe për ne, për faktin se presim që të shënojmë fitore si vendas, për të marrë pikë të plota dhe njëherit të gëzojmë edhe tifozët tanë. Sigurisht se kjo fitore eventuale do të na kthen në pjesën e epërme të renditjes, aty ku edhe si klub meritojmë të jemi. Në ndeshjen e fundit kundër Makedonija Gjorçe Petrovit treguam lojë mjaft të mirë, por fati nuk ishte në anën tonë. Andaj presim që të dielën të rikthemi te fitoret që ta dëshmojmë besimin e trajnerit”, ka thënë Ramani.
Nga ana tjetër, sulmuesi i transferuar këtë verë te Gostivari, Remzifaik Selmani është shprehur se ndeshja me Shkupin do të jetë e vështirë, por se ai me bashkëlojtarët pretendojnë rezultat pozitiv në Çair.
“Ndeshja e nesërme do të jetë një ndeshje e vështirë pa diskutim, por ne jemi përgatitur maksimalisht gjatë ditëve të fundit, kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe futemi me bindje për një rezultat pozitiv në Çair. Shpresoj që të vazhdojmë me fitore, njejtë si në ndeshjen e fundit dhe ti ndihmoj ekipit përsëri me gola për një rezultat pozitiv”, tha Selmani.
Takimi Shkupi – Gostivari do të luhet nesër (e diel) pasdite në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 17:00. /Telegrafi/