Site icon Telegrafi

Shkrimtarja gjilanase që ngjall zërat e grave të vrara përmes poezisë

Shkrimtarja gjilanase, Selvete Avdullahu, duke iu përkushtuar temave të ndarjeve tragjike dhe fatkeqësive që përballen gratë, ajo ka zgjedhur që zërat e grave të vrara të marrin jetë dhe të mbesin të pavdekshëm.

Në një prononcim për Telegrafin, Avdullahu tregon se krijimtarinë e ka si hobi, derisa thekson se është autore e pesë veprave dhe përcjellëse e disa çmimeve.

“Me profesion jam psikologe, por si hobi e kam krijimtarinë. Jam autore e pesë veprave, bashkautore e shumë veprave letrare, si dhe përcjellëse e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e letërsisë”, tha Avdullahu.

Avdullahu thekson se viteve të fundit vendi po përballet me një dukuri negative, siç është ajo për gratë e vrara, ku sipas saj kjo dukuri është gjithnjë e në rritje.

“Dukuritë negative në shoqëri shpesh përcjellën nga autor të ndryshëm përmes shkrimeve, kështu që edhe mua si çdo autor, na brengos çdo dukuri negative që ndodhë në vend. Fatkeqësisht, viteve të fundit jemi duke u përballur me një dukuri, siç është vrasja e grave në vendin tonë, e që kjo është gjithnjë e në rritje. Edhe unë në shumë raste kam poezi që ia kam kushtuar grave të vrara”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, Avdullahu thotë se për të kjo dukuri është një plagë shumë e rëndë, e që sipas saj duhet të parandalohet.

“Për mua kjo dukuri është një plagë shumë e rëndë, që duhet të parandalohet, duhet të vetëdijesohet shoqëria sa më shumë sepse gruaja nuk është pronë e askujt, gruan duhet ta trajtosh me dinjitet”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Përmes këtyre poezive, ajo thotë se mundohet të kap realitetin e dhimbshëm të shumë grave, që sipas saj shpesh fshihet nën sipërfaqen e shoqërisë.

Poetja thekson se mesazhi që mundohet të përcjell përmes këtyre poezive është që të parandalohet kjo dukuri negative.

“Mesazhi që përcjelli përmes këtyre poezive, është që të parandalohet kjo dukuri negative dhe të mos ketë vrasje të grave. Por, edhe mesazhet e poezive të tjera me motive të tjera e kanë frymën dhe mesazhin e vet në vetvete. Secila poezi, përcjell një mesazh te lexuesi”, ka thënë poetja Avdullahu.

Tutje, Avdullahu thotë se poezitë zakonisht janë të shkurtra, po se të gjitha nga to përcjellin një mesazh të caktuar përmes atyre pak rreshtave.

“Zakonisht, poezitë kanë një mesazh. Edhe pse poezitë janë të shkurta, por fryma artistike që përcjellët përmes saj është pikërisht kjo që e përcjell një mesazh të caktuar përmes pak rreshtave”, tha ajo.

Mes të gjitha poezive të shkruara, Avdullahu thotë se e dallon poezinë pikërisht për gratë e vrara, të titulluar ‘Nuk kam lindur të ma marrësh jetën ti’

“Do e dalloja poezinë që e kam shkruar para shumë vitesh të titulluar “Nuk kam lindur të ma marrësh jetën ti’, ku këtë poezi e kam interpretuar në festivalin e poezisë, në Drenas”, ka thënë ajo, duke theksuar se interpretimi i këtyre poezive që i takojnë motiveve negative, të bëjnë të ndjehesh e thyer.

“Interpretimi i këtyre poezive që i takojnë këtij motivi, të bënë të ndjehesh edhe shpirtërisht e thyer, ndjehesh sikur futesh nën lëkurën e atyre grave, e atyre fëmijëve jetim, sikur e mbanë dhe e bart një dhembje gjatë leximit. Edhe pamja ndryshon në atë moment, ndjenjat e dhimbjes, të fatkeqësisë reflektohen edhe tek masa dhe gjendja jote shpirtërore dhe psikike, automatikisht futet me një kornizë tjetër, sikur ti vet po e jeton dhe po e përjeton atë tragjedi”, ka theksuar ajo.

Avdullahu potencon se tash e një kohë merret me këtë krijimtari, derisa tregon për rrugëtimin përgjatë këtyre viteve.

“Si fëmijë, normalisht nuk mund të shkruash poezi për të rritur, megjithëse kapaciteti i njohurive dhe aftësive, i leximit, por edhe i pjekurisë fizike dhe psikike është i nivelit më të ulët. Kështu që, edhe unë si fëmijë, kam shkruar poezi për fëmijë dhe dikur në moshën më të pjekur, në gjimnaz, kam filluar të perfeksionoj poezinë, të shkruaj për të rritur dhe kam vazhduar më tutje në studimet e para dhe kështu gradualisht në vitin 2003 kam vendosur të dal me librin e parë, titulluar ‘Emërtimi i ditës së nesërme’, libër ky i cili është pritur mjaft mirë nga lexuesit”, ka potencuar Avdullahu.

Përmes një mesazhi të fundit, Avdullahu kërkon që të ketë sa më pak dukuri negative.

“Mesazhi për fund do të ishte sa më pak dukuri negative, sa më pak frymëzime në kontekstin negative. Aq më shumë të mira në shoqërinë tonë, aq më shumë perspektiv, arritje, aq më shumë avancim në karrierë, në çfarëdo fushe që ka talent njeriu”, ka përfunduar Avdullahu. /Telegrafi/

Exit mobile version