Preokupimet lidhur me problemet e mangësitë në shoqërinë kosovare, shkrimtari nga Prizreni, Roland Spahiu i ka shpalosur në romanin “Një skenë filmi” të botuar pak muaj më parë. Në librin e tij të gjashtë, autori Spahiu, përmes një rrëfimi filozofik të bazuar në mendim kritik shpreh pakënaqësinë për mendësinë aktuale në Kosovë.
Në intervistën për Telegrafin ai thekson se pikërisht mungesa e mendimit kritik ka bërë që në qytetet e bukura të Kosovës të ndërtohen godina të shëmtuara, pastaj të ketë arsim e shëndetësi të dështuar, institucione joserioze që vlerën e kanë ngatërruar me çmimin, si dhe lartësimin e idesë për ikjen nga vendlindja.
“Këto kanë ndodhur edhe për shkak të mungesës së mendimit kritik në veprimin tonë shoqëror, prandaj, për ta shprehur nevojën tonë emergjente për përmirësime, libri sërish i jep zë thirrjes për mendimin kritik”, ka thënë Spahiu.
Spahiu i lindur në vitin 1989, ka studiuar për Film dhe Skenar, teksa fushat e interesit të tij janë Letërsia dhe Filozofia. Deri më tani ka botuar librat : “Fluturat” (2014, Roman); “Gjenocid i hirtë” (2016, Aforizma); “Përrallat e mëngjesit” (2017, Përralla); “Zbrazëti” (2017, Aforizma); “Shtëpi prej kartoni” ( 2020, Roman) dhe “Një skenë filmi” (2024, Roman).
Libri i tij me aforizma “Zbrazëti” është përkthyer në gjuhën gjermane dhe është botuar gjatë vitit 2020 në Bern të Zvicrës.
Në intervistën për Telegrafin ai ka folur më gjerësisht për përmbajtjen e romanit të tij të fundit, “Një skenë filmi”, ku përmes qasjes tallëse të personazhit kryesor respektivisht filozofit të tavernës kritikohen vendimmarrësit por edhe vendimet e tyre të dëmshme, teksa në fund ka vënë në spikamë edhe rëndësinë e librit dhe të leximit.
Telegrafi: Zotëri Spahiu, “Një skenë filmi” është libri juaj i gjashtë. Ndonëse jeni një autor i pranuar nga lexuesit dhe kritikët, a e keni ende të vështirë të shkruani në përditshmërinë tonë?
Roland Spahiu: Përditshmëria ime private është e përfshirë nga librat. Por kur dalë ta përjetoj cilindo qytet të Kosovës, ndonëse sytë e mi kërkojnë që të prekin njerëz të ulur në hapësira private dhe publike me libra nëpër duar, shoh që, kjo ende nuk është e mundur. Njerëzit, si duket një shumicë prej tyre, nuk prekin libër me dorë. Kjo më bën të mendoj që ata e kanë keqkuptuar librin, mbase edhe nuk e kanë kuptuar fare. Më djeg truri kur e them këtë. Meqë mos leximi i ka kushtuar jashtëzakonisht shumë. Në aspektin fizik nuk e prekin librin me dorë, ndërsa në aspektin mendor nuk prekin libër me mendje. Kjo i ka varfëruar deri në asht, i ka boshatisur krejt, i ka zvetënuar thellësisht, i ka robotizuar seriozisht, e i ka varfëruar rrënjësisht jetët e tyre. Këto efekte negative janë aq të mëdha sa mos lexuesit as që i vërejnë. Mos lexuesit mendojnë që janë të lumtur, por në fakt janë në gjendje të mjerë. Ata mendojnë që janë të pasur, por në fakt janë në skamje të jashtëzakonshme. Mendojnë që e kanë arritur mjaftueshmërinë por në fakt ata janë pamjaftueshmëria e vetes së tyre. Mendojnë që kanë ngjyra në jetët e tyre, por pa lexim, janë vetëm brenda një filmi dramatik, pa zë, e bardh e zi. Prandaj të shkruash në një realitet të tillë është luftë me varfërinë njerëzore të shkaktuar nga mos leximi, dhe një gjë e tillë është e dhimbshme.
Telegrafi: Botimi i këtij libri a ju ka lehtësuar në aspektin psiqik?
Spahiu: Në romanin “Një skenë filmi” personazhi im merret me kërkimin e kuptimit brenda elementeve të vogla të shoqërisë dhe të individit. Flet për karrige, tryeza, dysheme, kravata, ora, këmisha, kopsa të këmishëve, elementet e metropolit dhe mëton të tregojë si manifestohen këto në sjelljet tona të përditshme. Kravatën e sheh si litar që na lidhet në qafë, orën manifestim i gënjeshtrës, personat me këmishë me kopsën e fundit të hapur si vendimmarrës e ata me kopsën e mbyllur si rob të këtyre vendimmarrësve. Me këto ai reket, sikur, ti shndërroj soditjet e tij në ligje shoqërore. Ti them këto gjëra nëpërmjet mendjes të një personazhi i cili është filozof taverne dhe jo filozof akademik, i cili mikro lëvizjet i asocion në kuptime sociologjike, më ka lehtësuar psiqikisht. Më ka lehtësuar meqë nga ai nuk pritet saktësi por vetëm përafrim në përfundime dhe jo dituri empirike për ato fenomene që i shtron. Të jesh afër përfundimeve dhe jo diturisë empirike, është lehtësi. Qëllimisht e kam ndërtuar karakterin të tillë, sepse nuk do të mund të shkruaja një personazh që nuk gabon në mendime të tilla, relativisht të cekëta e relativisht të thella. Kjo zgjedhje më ka lehtësuar gjatë dhe pas shkrimit të këtij romani. Edhe pas botimit, ndjehem i lehtësuar që i kam dhënë mundësi personazhit të gabojë në krijimin e fjalive destruktive vende – vende, dhe të mos e kufizoj mendimin askund.
Telegrafi: Pse jeni përcaktuar sërish për një rrëfim filozofik me mendim kritik?
Spahiu: Në mungesë të mendimit kritik ne kemi ndërtuar ndërtesa të shëmtuara brenda qyteteve tona të bukura, kemi shkatërruar sistemin arsimor, kemi dështuar në ndërtimin e një sistemi njerëzor të shëndetësisë, kemi shuar mendjeftohtësinë, sinqeritetin dhe seriozitetin e institucionit dhe e kemi ngatërruar konceptin e vlerës me atë të çmimit. Shkollën, Universitetin e kemi bërë objekt talljeje. Kemi lejuar të bëhet e madhe pasiguria ekonomike njerëzore për të nesërmen. Kemi ndjellë e zbukuruar ideja për tu larguar nga vendlindja. E kemi cenuar, tundur rrënjësisht nocionin e drejtësisë duke futur absurditete instiktive brenda saj. Me mospërdorim të mendimit kritik kemi fshehur nevojën e madhe për të diskutuar me psikologë e psikiatër për probleme individuale e familjare. Kemi krijuar polarizime krejtësisht të panevojshme. E kemi hedh në harresë nevojën për të bashkëpunuar sinqerisht në mënyrë grupore për qëllime të mira. Këto kanë ndodhur edhe për shkak të mungesës së mendimit kritik në veprimin tonë shoqëror, prandaj, për ta shprehur nevojën tonë emergjente për përmirësime, libri sërish i jep zë thirrjes për mendimin kritik.
Telegrafi: Në këtë rast a kemi të bëjmë me një roman tallës ndaj fenomeneve në shoqëri?
Spahiu: Romani “Një skenë filmi” është cilësuar nga kritiku, redaktori dhe shkrimtari Xhevair Lleshi si tallës. Gjuha dhe mendja e mprehtë e personazhit tim, e them meqë në këto dimensione personazhi është real, dhimbjet që i përballon, padrejtësia sociale, zhvillimi i hovshëm e pa krye teknologjik, mungesa e parimeve në konsum, pamëshirshmëria dhe ndjeshmëria e ulët ndaj jetës së njeriut, bëjnë që ai të komunikojë në mënyrë tallëse me këto probleme aktuale shoqërore. Vetëm kështu i duket e lehtë dhe njëherazi e domosdoshme, tallja për ti kritikuar vendimmarrësit dhe vendimet e tyre të dëmshme individuale, shoqërore e shtetërore. Një filozof taverne nuk ka si ti kritikojë aq lirshëm injorancën, nepotizmin, krimin intelektual e fizik përveç me tallje. Ndryshe nuk e përballon dot. Me tallje kritikon edhe ngaqë, nuk i hyjnë fare në punë atij statistikat e empirike të rrejshme, për të, edhe ajo çfarë shihet me sy është tashmë e mjaftueshme për të parë pamjaftueshmërinë tonë shoqërore. Tallja e personazhit të romanit “Një skenë filmi” është mënyra e tij për të mbijetuar në këtë sistem johuman botëror.
Telegrafi: Sikur t’ju jepej mundësia e bisedës me secilin lexues të librit, cila do të ishte porosia e juaj e përbashkët për ta?
Spahiu: Mendoj që secili prej nesh nga pika që jemi duhet të drejtohemi në një pikë më të mirë. Tash, jo më vonë. Këtë duhet ta bëjmë sinqerisht. Lexuesit e librave të mi dhe librave të tjerë i shoh sikur individët që duhen ndjekur përpikërisht e duhen marrë si shembull seriozisht. Jo rinia, por lexuesit janë shpresa e vërtetë jo e vetëm vendit tonë por e gjithë kësaj bote që është duke kaluar në periudha shumë të vështira, ndoshta, si kurrë më parë. Unë secilin lexues, pra njeriun që është i hapur të ndryshojë për të mirë, e falënderoj sinqerisht. Të lexosh sot, dhe jo nesër, është të ndryshosh veten drejt ëndrrave tua njerëzore. Secili sot kemi nevojë për ëndrra, jo vetëm të cilat janë tonat, por edhe për ëndrrat e të tjerëve, të cilat janë në përshtatje me natyrën njerëzore. Pra ne sot duhet të ëndërrojmë jo vetëm për veten, por dhe për të tjerët. Prandaj, lexues, ju lutem vazhdoni të lexoni, të lexoni që të ëndërroni, të ëndërroni që ta realizoni një jetë të përmbushur. /Telegrafi/