Në shenjë nderimi dhe kujtimi për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit sot, gjatë orës së parë mësimore, do t’i kushtojnë vëmendje kësaj ngjarjeje historike.
Drejtori i shkollës “Abaz Ajeti”, Arsim Bejtullahu ka përcjellë një mesazh me rastin e kësaj dite.
“Nesër ora e parë i kushtohet Epopes së UÇK-së. Kujtojmë me krenari komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jasharin, dëshmorët, veteranët, të cilët i dhanë kuptimin lirisë që po gëzojmë sot e të cilën duhet ta kultivojmë ndër breza. Ai komb që harron është i destinuar të shuhet”, tha ai.
Në këtë përvjetor, nxënësit dhe mësimdhënësit do të reflektojnë mbi rëndësinë e sakrificës për liri, duke rikujtuar aktin heroik të familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët u bënë themeli i pavarësisë së Kosovës.
Ndryshe, përvjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) shënon njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Kjo epopë lidhet ngushtë me sakrificën heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u përballën me një sulm brutal nga forcat serbe në Prekaz. /Telegrafi/