Site icon Telegrafi

​Shkolla pa fotokopje, mësimdhënësit printojnë testet për nxënës me shpenzime personale

Mësimdhënësit në shkollën fillore të mesme të ulët “Fadil Hisari”, në Prizren detyrohen t’i printojnë materialet për nxënësit me shpenzime personale në mungesë të pajisjes.

Njëri nga mësimdhënësit që deshi të mbes anonim, i ka thënë KosovaPress-it, që ata po detyrohen të printojnë literaturën dhe materiale tjera të nevojshme në shkollore nëpër fotokopje private në qytet.

Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj tha se kjo shkollë ka buxhet të mjaftueshëm për të siguruar pajisje për printimin e materialeve shkollore.

Derisa tregoi se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth kësaj situate, Veselaj-Gutaj tha për KosovaPress, se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të renovimeve në këtë shkollë dhe se mund të ketë pasur ndonjë prishje.

“Zyrtarisht nuk jam e informuar por shkollat e para, Komuna e Prizrenit, respektivisht Drejtoria e Arsimit e ka buxhetin e ndarë për shkollat dhe secila shkollë në bazë të kapacitetit të numrit të nxënësve e ka edhe pjesën e buxhetit. Që konsideroj se shkollat që janë më të mëdha siç është ‘Fadil Hisari’, kanë buxhet për të siguruar një fotokopje. E dyta shkolla ka qenë në renovim, ka mundësi që ka pasur ndonjë prishje ose pengesë dhe ajo mund të evitohet.

Ne jemi në fazën finale të furnizimit me mjete siç janë kompjuterë, fotokopje dhe gjëra të tjera të shkollave ku ka mungesë dhe se javën e ardhshme besoj se do të fillojmë me shpërndarjen e tyre. Nëse është kështu siç po thoni ju, do ta pajisim edhe me një fotokopje”, tha Veselaj-Gutaj.

Shkolla fillore e mesme e ulët “Fadil Hisari”, në Prizren është ndër shkollat me numrin më të madh të nxënësve në këtë komunë. Më 31 maj të këtij viti janë përuruar renovimet në këtë shkollë, me rastin e 44-vjetorit të themelimit të saj./kp/

Exit mobile version