Telegrafi

Shkëndija – Shkupi, flasin para derbit Endrit Krasniqi dhe Arbi Vosha

Shkëndija dhe Shkupi do të përballen nesër ndërmjet veti për herë të parë në sezonin e ri, ku për xhiron e gjashtë do ti matin forcat në Tetovë. Kuqezinjtë kanë katër fitore nga katër ndeshje të luajtura dhe pretendojnë të vazhdojnë këtë seri triumfesh edhe ndaj Shkupit.

Nga tabori i Shkëndijës para kësaj sfide ka folur, Endrit Krasniqi. Ai thotë se ekipi tij është përgatitur maksimalisht për derbin, ndërsa thekson se ndeshjen mund ta vendosin detaje të vogla.

“Mendoj se ekipi është përgatitur shumë mirë. Shpresojmë të vazhdojmë me serinë e fitoreve, që të mos ndalemi dhe të jemi të qetë deri në ndeshjen tjetër. Mendoj se ndaj Shkupit është një ndeshje e rëndësishme, besoj se ekipi jonë është më i mirë se i Shkupit, kështu që është një ndeshje që mund të vendosin edhe detajet e vogla. Unë premtoj një angazhim maksimal nga vetja dhe të ndihmoj ekipin që të kemi tre pikë të reja”, ka thënë Endrit Krasniqi.

Nga ana tjetër, Arbi Vosha e vlerëson ekipin tetovar, por shprehet se Shkupi synon fitoren dhe të rikthehet me tre pikë në Çair.

“Kemi punuar dhe jemi përgatitur maksimalisht për derbin që na pret me Shkëndijën. Është një ndeshje mjaftë e rëndësishme për ne si skuadër, ku synojmë fitoren, që njëkohësisht t’ua ndërpremë serinë e fitoreve ekipit nga Tetova dhe ne të vazhdojmë të ngrihemi. Nuk do të jetë e lehtë, pasi kemi të bëjmë me ekip kualitativ dhe me futbollist të ri, por gjithsesi, i kemi analizuar ndeshjet e tyre dhe do të kërkojmë që të marrim maksimumin. Shpresoj të kthehemi me tre pikë në Çair dhe ti gëzojmë edhe tifozët tanë Shvercerat”, ka thënë për ‘Telegrafin’ Arbi Vosha.

Derbi ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit, do të luhet të shtunën në stadiumin e qytetit të Tetovës, nga ora 16:00. /Telegrafi/