Telegrafi

Shkëndija rikthen Fiton Ademin, 21-vjeçari ka një letër për “Ballistët”

Fiton Ademi rikthehet te Shkëndija e Tetovës. Sulmuesi 21 vjeçari është futbollisti që së fundmi ka veshur fanellën me ngjyrat kuqezi, duke firmosur kontratë për dy vite e gjysmë me klubin tetovar.

Ademi ishte pjesë e moshave të reja të Shkëndijës dhe më pas kaloi në futbollin e seniorëve me ekipet si Struga, Voska dhe së fundmi Besa e Dobërdollit.

“Me krenari kthehem te Shkëndija, duke firmosur kontratë profesionale me klubin ku nisa e u rrita. Kjo është një dëshmi se asgjë nuk është e paarritshme për futbollistët e rinj nga shkolla e futbollit Shkëndija”, shprehet Fiton Ademi.

Ndërkohë 21 vjeçari ka shkruar edhe një letër drejtuar tifozëve kuqezi.

“Mirëdita miq dhe tifozë të Shkëndijës! Unë jam Fiton Ademi, futbollisti juaj i ri i pasionuar pas këtij klubi. Sot dua të ndaj me ju një pjesë të rrugës sime në futboll dhe lidhjen time të ngushtë me KF Shkëndija.

Fillimisht, kujtoj ditët e mia në shkollën e futbollit Shkëndija. Aty kam mësuar jo vetëm teknikat e futbollit, por edhe vlerat e ekipit dhe punës së palodhur. Një udhëtim që nisi në këtë klub me kategorië e reja, por që më vonë më çoi në futbollin e të rriturve në eksperiencën si senior te klubet tjera si Struga, Voska dhe Besa.

Secili klub që kam kaluar ka qenë një shkollë, një mundësi për të zhvilluar aftësitë e mia. Por, ka një vend që më ka bërë të ndihem si në shtëpi, dhe ai vend është Shkëndija. Ekipi ku jam rritur dhe kam zhvilluar talentin tim.

Sot, me krenari, kthehem te Shkëndija, duke firmosur kontratë profesionale me klubin ku nisa e u rrita. Kjo është një dëshmi se asgjë nuk është e paarritshme për futbollistët e rinj nga shkolla e futbollit Shkëndija.

Me shpresë që historia ime do t’ju frymëzojë, ju inkurajoj të ndiqni deri në fund ëndrrat tuaja. Puna e palodhur dhe besimi në vetvete mund të sjellë sukses. Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Forca Shkëndija!”- shkruhet në letrën e Fiton Ademit./Telegrafi/