Site icon Telegrafi

Shkëndija proteston kundër dhunës së huliganëve maqedonas

Thuajse i gjithë faktori shqiptar në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ka dënuar ashpër incidentet e fundit në ligën vendase të futbollit, një reflektim i situatës së tensionuar që ekziston mes etnive të ndryshme në vendin fqinj.

Dhuna e huliganëve maqedonas dhe koret raciste ndaj shqiptarëve në stadiumin e Shkupit janë baza e ankesës që klubi nga Tetova ka depozituar në Federatë.

Kryesia e Shkëndijës e ka cilësuar një linçim të drejtuesve të saj në impiantin e kryeqytetit, madje një prej zyrtarëve të ekipit shqiptar, u masakrua me grushte dhe shqelma, i gjendur i rrethuar nga grupimi famëkeq komitët.

Sipas skuadrës së Shkëndijës, sigurimi në stadiumin “Filipi II” nuk ndërhyri ndoshta qëllimisht, ndërsa organet e MPB-s, ishin shumë afër dhe mezi larguan personat që shihen qartë kush janë ata që sulmuan.

Incidenti ndodhi në minutën e 39-të të takimit, pas golit të barazimit që e shënoi Armend Alimi, gol i cili egërsoi tifozët e Vardarit, të cilët nuk janë përmbajtur dhe kanë sulmuar fizikisht përfaqësuesit e skuadrës tetovare.

Në sulmin fizik, disa nga anëtarët e kryesisë së Shkëndijës janë goditur dhe kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa janë detyruar ta lënë tribunën nën shoqërimin e forcave të sigurisë.

Exit mobile version