Janë mbyllur katër ndeshjet e xhiros së katërt që ishin në program pasditen e sotme në kuadër të Ligës së Parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Shkëndija ka marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi në Tetovë mundi Bregallnicën me rezultat 2-0.
Golat e triumfit për kuqezinjtë e trajnerit Ardian Nuhiu i realizuan Aganspahiq në minutën e 62-të që gjeti rrjetën dhe Bruno Dita realizoi në minutat shtesë, duke vulosur rezultatin final të takimit.
Skuadra e Gostivarit ka marrë fitoren e parë në Ligën e Parë, duke mundur Rabotniçkin në shtëpi me shifra 2-0. Triumfin e parë skuadrës nga Gostivari ia dhuruan, Potuk dhe Selmani.
Shkupi edhe në këtë xhiro nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, ndërsa edhe ndeshja tjetër ndërmjet Vardarit dhe Sileksit u mbyll me rezultat 2-2.
Xhiroja e katërt vazhdon edhe nesër kur në program është sfida ndërmjet Breras dhe Tikveshit nga ora 16:30. /Telegrafi/