Telegrafi

Shkëndija mposhtet nga Rosenborgu, kualifikimi kërkohet pas një jave në Shkup

Shkëndija e Tetovës është mposhtur në ndeshjen e parë të ‘Play-Off’-it në Ligën e Evropës nga Rosenborgu 3-1.

Kampioni në fuqi i Norvegjisë e nisi për mrekulli takimin duke sulmuar vazhdimisht ekipin shqiptar.

Ishte minuta e 11-të kur Jebali shënoi golin e parë në ndeshje pas asistimit nga Nicklas Bendtner.

Vetëm katër minuta më vonë, ish-sulmuesi i Juventusit, Arsenalit e Wolfsburgut, Nicklas Bendtner shënoi për 2-0.

Kur skuadrat po përgatiteshin të shkonin në pushim, vendasit shënuan për herë të tretë me sulmuesin Levi 3-0.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide kaluan nën dominimin e Rosenborgut.

Në pjesën e dytë Shkëndija u këndell dhe luajti shumë më mirë.

Junior duke festuar golin e vetëm të Shkëndijës ndaj Rosenborgut

Golin e shpresës tetovarët e realizuan në minutën e 76-të, ku realizoi braziliani Sergio Junior.

Deri në fund Shkëndija tentoi të shënonte edhe një gol por një gjëje të tillë nuk ia arritën.

Kësisoj klubi tetovar do të provoj përmbysjen në ndeshjen e kthimit pas një jave në Shkup.

Shkëndijës do t’i mjaftonte një fitore me rezultat 2-0 për tu futur në grupet e Ligës së Evropës. /Telegrafi/