Telegrafi

Shkëndija fiton Vardarin, Shkupi dhe Struga ndalen me barazime

Xhiroja e 21-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut ka rezultuar e mirë për Shkëndijën, Voska Sportin dhe Gostivarin që shënuan fitore në ndeshjen e luajtura mesditën e sotme, teksa Shkupi dhe Struga Trim Lum u ndalën me barazime.

Shkëndija e Tetovës dhuroi spektakël në Tetovë, duke e mundur rivalin e vjetër Vardarin me rezultatin 3:0. Kuqezinjtë fillimisht humbën penallti, me Ennur Totren që nuk ishte i saktë nga pika e bardhë, përderisa në vijim skuadra e Jeton Beqirit shënoi dy gola tjerë në pjesën e parë. Autor i golave ishte Erald Çinari që gjeti rrjetën në minutën e 34-t, ndërsa pesë minuta më vonë realizoi një gol spektakolar nga jashta zonë për shifrat 2:0. Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Shkëndija gjeti edhe njëherë tjetër rrjetën, me Ditën që shënoi gol me kokë në minutën e 54-t, pas atij asistit të Çinarit.

Vlenë të theksojmë se përveç paraqitjes së mirë të kuqezinjëve në fushë, spektakël dhe performancë të bukur kishte edhe në tribunat e stadiumit të Tetovës, aty ku tifozët “Ballistët” krijuan atmosferë të bukur, duke i dhënë përkrahje skuadrës së tyre.

Ndërkohë, Shkupi është ndalur në shtëpi me barazim pa gola ndaj Tikveshit, teksa me rezultat identik është mbyllur edhe ndeshja ndërmjet Sileksit dhe Struga Trim Lum e luajtur në Kratovë.

Fitore ka marrë Voska Sport që në transfertë mundi Makedonija Gjorçe Petrovin me rezultat 2:1, ndërsa Gostivari mundi Brera Strumicën me shifra 2:0. Takimi tjetër që ishte në program të xhiros së 21-të, u mbyll në favor të Rabotniçkit që triumfoi ndaj Bregallnicës së Shtipit me rezultatin 2:0.

Ndeshjet e radhës në Superligën e Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet me 6 mars. /Telegrafi/