Site icon Telegrafi

Shkëndija fiton ndeshjen a parë ndaj Sheriffit, shpreson të vazhdojë tutje në Ligën e Kampionëve

Shkëndija e ka fituar ndeshjen e parë (1-0) të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër FC Sheriff Tiraspol.

Në ndeshjen e zhvilluar në Filip Arena II në Shkup, skuadra nga Tetova e gjeti golin në minutën e 24 të takimit.

Pas një aksioni të kampionit të Maqedonisë, u akordua gjuajtje e lirë në afërsi të zonës. Përgjegjësinë për të goditur e mori Besart Ibraimi, goditja e të cilit u ndal në rrjetë (24′).

Nikoqirët patën raste të mira, sidomos përmes Stenio Junior, i cili e goditi edhe shtyllën, mirëpo gola të tjerë nuk u shënuan deri në mbyllje të takimit.

Natyrisht se ndeshja e kthimit nuk do të jetë e lehtë, pasi rezultati nuk është shumë bindës. Mirëpo, mospranimi i golit në terren vendas do t’i shërbejë shumë kampionit të Maqedonisë.

Sheriff Tiraspol ka vite që dominon futbollin në Moldavi ku në 21 vite ekzistencë numëron 16-të tituj kampioni, nëntë Kupa dhe shtatë Superkupa.

Paraqitjet e vazhdueshme në kupat e Evropës kanë bërë që moldavët të krijojnë përvojën e duhur, duke arritur në katër raste të jenë pjesë e fazës së grupeve në Europa League.

Sidoqoftë, Shkëndija do të shpresojë në rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e kthimit për të vazhduar tutje në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Fituesi i duelit ndërmjet këtyre dy skuadrave do të luajë kundër Salzburgut në rrethin e tretë kualifikues. Ndërsa ekipi që eliminohet do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Europa League ose ndaj Santa Coloma ose ndaj Valur Reykjavik. /Telegrafi/

Exit mobile version