Telegrafi

Shkëndija me dy ankesa te FFM, për arbitrimin dhe ndryshimin e orarit ndaj Vardarit

Shkëndija e Tetovës sot (e martë) përmes një komunikate ka njoftuar opinionin sportiv se ka dërguar dy ankesa zyrtare në drejtim të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Klubi tetovarë fillimisht ka dërguar një ankesë te organet përgjegjëse të FFM-së, duke shprehur pakënaqësinë në ndarjen e drejtësisë në duelin me Gostivarin të luajtur në fundjavë në kuadër të xhiros së 20-të, e cila ndeshje u mbyll me barazim 2:2.

Ndërkohë Shkëndija ka reaguar edhe për ndryshimin e orarit të takimit të xhiros së 21-të ndaj Vardarit, të cilën Komisioni i Garave të FFM-së e vendosi të luhet të shtunën për shkak të transmetimit direkt në kanalet shtetërore, teksa për të njejtën klubi kuqezi ka kërkuar që ndeshja në fjalë të zhvillohet të dielën.

Nga tabori tetovarë besojnë se këto dy ankesa do të trajtohen seriozisht nga Federata e futbollit të Maqedonisë, ndërkohë më poshtë ju sjellim komunikatën e plotë të KF Shkëndija. /Telegrafi/

Komunikata e plotë:

Dëshirojmë të njoftojmë opinionin me qëndrimin tonë në lidhje me ndeshjen e fundit të xhiros së 20-të ndaj Gostivarit.

Si një klub i përkushtuar për drejtësi dhe integritet në fushën e futbollit, ne, KF Shkëndija, kemi ndjerë detyrimin për të shprehur pakënaqësinë tonë për ndarjen e drejtësisë në këtë ndeshje, si dhe për ndryshimin e orarit të takimit të xhiros së 21-të, Shkëndija-Vardari.

Me këtë rast, kemi dërguar një ankesë zyrtare në organet përgjegjëse të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, duke shprehur shqetësimet tona në lidhje me trajtimin e gabuar të disa situatave gjatë lojës.

Ne, si KF Shkëndija, vazhdojmë të kemi besim tek transparenca dhe objektiviteti në procesin e ndarjes së drejtësisë dhe besojmë se ky reagim do të trajtohet seriozisht nga Federata.

Kjo komunikatë publike nxirret për të sqaruar opinionin se klubi ka reaguar tani, ashtu si reagon gjithmonë, në kanale të ndryshme zyrtare apo me komunikata për media.

Pra, reagimi dërgohet në organet kompetente përkatëse, pa dashur që në opinion të interpretohet sikur kërkojmë alibi për çdo situatë.

Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme.