Site icon Telegrafi

Shkëndija dhe Shkupi u ndan me barazim, pas derbit flasin Nuhiu dhe Iljazi

Derbi i kësaj fundjave ndërmjet Shkëndijës dhe Shkupit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut për xhiron e gjashtë nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola.

Takimi i luajtur në Tetovë, nuk prodhoi gola, ndërsa pas ndeshjes, trajneri Ardian Nuhiu ka komentuar derbin, duke thënë se skuadra e tij ishte më e mirë në pjesën e dytë.

“Mendoj se kjo ndeshje e arsyetoi epitetin derbi. Ishte një pjesë e parë e luftuar shumë nga të dyja skuadrat. Mendoj se në pjesën e parë ishim të barabartë, ndërsa në pjesën e dytë ishim më lartë se kundërshtari, e donim më tepër fitoren, por thjesht nuk arritëm të realizonim nga rastet që i krijuam”, ka thënë Ardian Nuhiu pas derbit.

Nga radhët e Shkupit pas ndeshjes u ndalë për të folur me gazetarët, portieri Artan Iljazi, i cili theksoi se ky barazim nuk i kënaqë, por se fati ishte në të dyja anët.

Lexo po ashtu Derbi në Tetovë mbyllet pa fitues, Shkëndija dhe Shkupi ndajnë pikët

“Normalisht nuk ishte ndeshje e lehtë, edhe pse pikët i ndamë, por secili prej nesh e dha maksimumin. Nuk jemi të kënaqur me një pikë, por fati ishte në të dyja anët dhe në fund e mbyllëm ndeshjen me barazim”, ka thënë  Artan Iljazi.

Kujtojmë se kjo ishte përballja e parë direkte ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës në këtë sezon.

Pas kësaj xhiroje, Shkëndija kryeson renditjen me 13 pikë dhe ka një ndeshje më pak të luajtur, ndërsa Shkupi mban pozitën e katërt me 9 pikë të tubuara. /Telegrafi/

Exit mobile version