Dy klubet shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Shkëndija dhe Renova kanë fituar dhe kaluar tutje në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, ndërsa Shkupi u eliminua pasi ishte i pafat.
Klubi i madh shqiptar Shkëndija ka arritur të fitojë në udhëtim te Sumqayit i Azerbajxhanit me rezultat 2-0 duke siguruar kualifikimin në raundin e dytë.
Golat për ekipin nga Tetova u shënuan nga Besart Ibrahimi (56’) për 0-1 dhe Ljupche Doriev (89’) për 0-2.
Fitore shënoi edhe një klub tjetër shqiptar nga Maqedonia, pasi Renova mposhti në udhëtim klubin nga Armenia, Alashkert, me rezultat minimal 0-1.
Goli i vetëm në këtë fitore të klubit tjetër tetovar erdhi në minutën e 59-të dhe ishte Nenad Mishkovski, i cili shënoi golin e fitores.
Në anën tjetër, i pafat ishte klubi i Shkupit që u mposht në udhëtim nga azerët e Neftci Baku me rezultat 2-1.
Golat në këtë takim u shënuan nga Sabir Bougrine (67’) për 1-0 dhe Anton Krivotsyuk (88’) për 2-0, ndërsa për shkupjanët shënoi Dembo Darboe (90+) për rezultatin përfundimtar 2-1. /Telegrafi/