Liria përsëri ka pësuar humbje në udhëtim dhe ndeshjet jashtë Prizrenit janë bërë problem për ta.
Bardhezinjtë u mposhtën në udhëtim tek kampioni në fuqi i Kosovës, Trepça ’89 2-0.
Trajneri i prizrenasve, Bledi Shkëmbi ka deklaruar se pjesa e parë ishte shumë e dobët dhe kishin mungesë të personalitetit në fushë.
“Pas një pjese të parë shumë të dobët u munduam të ndryshojmë në pjesën e dytë, por vetëm se pranuam dy gola. Kishim mungesë personaliteti në fushën e lojës”u shpreh Shkëmbi.
Ai ka folur edhe për problemin e madh të Lirisë, që nuk po arrin të ketë sukses në ndeshjet jashtë Prizrenit.
Sipas trajnerit shqiptar edhe ai vet ka përgjegjësi në këtë problem të skuadrës.
“Problemi kryesorë i yni janë dallimi mes ndeshjeve në shtëpi dhe ndeshjeve në udhëtim. Ky është një problem të cilin edhe unë kam përgjegjësi, por do shohim si do të dalim nga kjo situatë”, deklaroi ish-kapiteni i Skënderbeut të Korçës.
Pas 13 ndeshjeve në elitë, Liria ka grumbulluar 19 pikë dhe zë pozitën e gjashtë në tabelë. /Telegrafi/