Liria ka arritur të triumfojë në kuadër të xhiros së 14 të Vala Superligës së Kosovës në futboll.
Prizrenasit para shikuesve të vetë kanë arritur të fitojnë në stadiumin “Përparim Thaçi” kundër Prishtinës me rezultat minimal, 1-0.
Bledi Shkëmbi ka folur pas takimit duke pohuar se fituan ndaj një kundërshtari të vështirë si Prishtina.
“Patjetër është një ndër ndeshjet më të mira. Kundërshtarin e lejuam të luante shumë pak ndërsa ne krijuam shumë raste. Duhet të krijojmë një vazhdimësi të fitoreve. Ishte një ndeshje delikate dhe pas dy rezultateve zhgënjyese ndaj Trepçës dhe Vëllaznimit, duhet të reagonim”, tha Bledi Shkëmbi.
Ai më tutje foli edhe rreth ish-trajnerit Mirel Josës, i cili e kishte nxënës Shkëmbin te skuadra shqiptare e Skënderbeut.
“Unë kam mësuar nga mësuesi dhe i bije që më ka mësuar mirë. Josa i ka dhënë një fizionomi të re dhe kjo fitore më bën të lumtur. Shpresojmë të vazhdojmë të fitojmë dhe do të na jepet rasti për kreun”, përfundoi trajneri i prizrenasve.
Pas kësaj, Prishtina mbetet në pozitën e dytë të renditjes tabelore me 23 pikë ndërsa Liria ngitet në vendin e katërt me 22 sosh.
Ndryshe, Liria do të jetë mysafirë i Dritës në xhiron e ardhshme ndërsa Prishtina do ta pres Drenicën. /Telegrafi/