Site icon Telegrafi

Shkëlqimi i trajnerit nga Kosova në futbollin gjerman, e shpëtoi një skuadër nga rënia vitin e kaluar, tani po lufton për titull

Lëndimet e shumta ia pamundësuan një karrierë të mirë në futbollin profesionist, por tani po ka më shumë suksese në pozitën e trajnerit.

Fjala është për Liridon Imerin, një i ri nga Kosova që në moshë të re si shumë shqiptarë kishte migruar në Gjermani së bashku me familjen e tij.

Si futbollist ishte pjesë e Holstein Kiel dhe Lubeck, por lëndimet e shumta bënë që karrierën ta përfundojë në moshën 21-vjeçare, për t’iu përkushtuar profesionit të ri, por që përsëri me futbollin tani si trajner.

31-vjeçari nga Mitrovica edhe si trajner e nisi nga kategoritë e reja, me skuadrat modeste si Schilkssee dhe Altenholz U19.

Sa ishte pjesë e Altenholz U19 e shpëtoi skuadrën nga rënia dhe puna e tij e madhe u vlerësua.

Ai mori drejtimin e skuadrës seniore të Wiker SV ku arriti të ketë rezultate mjaftë të mira.

Ndërsa këtë edicion Imeri është rikthyer tek Altenholz, por tani si trajner i parë i ekipit të parë.

Imeri këtë edicion ka kaluar të gjitha parashikimet me klubin e parë të Altenholz, pasi po lufton për titullin e kampionit në LANDESLIGA SCHLESWIG.

Në 19 ndeshjet e para këtë edicion, Imeri me skuadrën e tij Altenholz ka grumbulluar 35 pikë, duke fituar 10 takime ka barazuar në pesë të tjera dhe ka pësuar vetëm katër disfata.

Telegrafi ka kontaktuar trajneri nga Kosova i cili është shprehur shumë i lumtur me ecurinë e skuadrës së tij.

“Deri më tani jam shumë i kënaqur me rezultatet e arritura nga skuadra ime. Kemi punuar shumë dhe puna e madhe po shpaguhet”, deklaroi Imeri për Telegrafin.

E falë rezultateve të mira ai mund edhe të lëvizë pasi në Gjermani po vlerësohen shumë trajnerët e rinj.

“Momentalisht jam pjesë e kësaj skuadre dhe kam kontratë. Qëllimi im është që nga posti i trajnerit ta ndihmojë ekipin për t’i arritur objektivat, pastaj të shohim nëse do të ketë ndonjë ofertë interesante pse jo”, tha Imeri.

Ëndrra e madhe e Liridonit është që një dit të drejtojë një skuadër në Bundesliga dhe beson se këtë do ta bëjë realitet.

“Qëllimi im është të vazhdoj të rritem dhe të bëjë përvojë edhe më të madhe si trajner, pasi një ditë ëndërrojë të drejtojë ndonjë skuadër në Bundesliga”.

“Besoj që do ta arrijë ta bëjë realitet këtë ëndërr pasi jam i fokusuar dhe përkushtuar në punë dhe vetëm me punë bëhen ëndrrat realitet”, përfundoi Imeri. /Telegrafi/

Exit mobile version