Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për shkak të dyshimit të bazuar se ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, gjatë projektit të intervenimit në infrastrukturën e stadiumit të qytetit “Përparim Thaçi”.
Prokuroria e Shtetit përmes një kumtese ka bërë të ditur se aktakuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare është ngritur kundër të pandehurit me inicialet I.A.
“Në aktakuzë thuhet se i pandehuri I.A., në cilësi të personit zyrtar (punonjës në një institucion qendror të Republikës së Kosovës), gjatë muajit shkurt të vitit 2013, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, ashtu që një operatori ekonomik me seli të veprimtarisë në Prizren, i ka mundësuar të përfitojë materialisht. Sipas prokurorit të rastit, i pandehuri I.A. me veprimet e tij ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1, i Kodit Penal i Republikës së Kosovës'”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Burime brenda organeve të ndjekjes kanë theksuar se i pandehuri është punonjës në MKRS dhe se i njëjti dyshohet për shpërdorim të detyrës në projektin e realizuar vite më parë nga ky dikaster në stadiumin “Përparim Thaçi” të Lirisë së Prizrenit.
“Ka dyshime të bazuara se projekti nuk është realizuar sipas tenderit, për shkak të keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, ka thënë burimi i gazetës.