Site icon Telegrafi

Shkaku i gropave vështirësohet qarkullimi në rrugën “Halim Spahia” në Ferizaj

Banorë të lagjes “Halim Spahia” në qytetin e Ferizajt, po vazhdojnë të përballen me mungesë të asfaltit për të cilin disa herë kanë kërkuar nga komuna, por deri më tash nuk janë shqyrtuar ato.

Sipas banorëve sa herë që ka të reshura të shiut rruga bëhet e pa kalueshme shkaku i gropave.

Në komunën e Ferizajt kanë thënë se kjo rrugë sikurse edhe disa të tjera do të asfaltohen gjatë këtij viti sipas mundësive buxhetore.

Besmir Imeraj, banor i kësaj lagjeje, ka thënë për Telegrafin se gropat po e vështirësojnë qarkullimin, ndërkaq sa herë që ka të reshura ajo bëhet e pa kalueshme.

Sipas tij edhe trotuari në këtë lagje është bllokuar nga disa biznese e, për të cilat inspektorati duhet të marrë masa urgjente.

“Jemi ankuar disa herë për gjendjen e rrugës sonë e cila po e vështirëson qarkullimin shkaku i gropave. Janë vetëm 130 metra rrugë që komuna duhet t’i asfalton. Po ashtu kërkesa jonë është edhe trotuari të rregullohet për këmbësor sepse një pjesë është uzurpuar  nga disa biznese”, është ankuar ai.

‘Në anën tjetër Meriton Hajdini, drejtor për infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, në një intervistë për Telegrafin pati sqaruar se shumica e rrugëve dhe rrugicave brenda qytetit do të riasfaltohen gjatë këtij viti.

“Gjatë vitit që e lamë pas kemi pasur telashe me buxhet shkak u i kontratës kolektive në arsim, ndërkohë gjatë vitit 2025 do të vazhdojmë me projekte në asfaltim të rrugëve e rrugicave dhe me projekte të tjera të cilat i kemi planifikuar. Sugjerojmë banorët të paraqesin kërkesa me shkrim për secilen rrugë që kanë nevojë për asfaltim”, ka thënë Hajdini./Telegrafi/

Exit mobile version