Bledion Baraliu
arkitekt
bledion@gmail.com
044/ 777 500
Kur kemi të bëjmë me hapësira të bollshme, është më e lehtë të plotësohen kërkesat dhe nevojat tona për banim, dhe e tëra na mbetet të zgjedhim, është dizajni, stili, ngjyra, materialet që i aplikojmë etj.
Mirëpo hapësira e vogël, shpeshherë na kufizon dhe imponon të heqim dorë nga disa prej kërkesave dhe nevojave tona të përditshme sa i përket banimit. Kjo ndikon negativisht drejtpërsëdrejti në kualitetin e jetës sonë, së këndejmi edhe në zhvillimin e aktiviteteve tona rutinore.
Prandaj, po ua prezantojmë disa këshilla praktike dhe ide konkrete, se si do të mund t’i shfrytëzonit maksimalisht hapësirat të cilat ndoshta nuk e keni menduar kurrë se mund t’i shfrytëzoni.
Hapësira mbi tryezari
Zakonisht, tryezaria, apo tavolina e bukës, shërben si hapësirë ndërlidhëse në mes të qëndrimit ditor dhe kuzhinës. Pse mos ta shfrytëzojmë hapësirën mbi të, për të vendosur dollapë për vendosjen e gjësendeve të nevojshme. Sidomos, nëse hapësira e kuzhinës është e vogël.
Përpos aspektit funksional, kjo do t’ju shërbente edhe si lloj ndarje (krijim i intimitetit) në mes të qëndrimit ditor dhe kuzhinës, duke e rritur kështu komoditetin në të dyja këto hapësira.
Hapësira mbi dyer në paradhomë/korridor
Lartësia standarde në objekte të banimit, varion orientimisht prej 2.4 m deri në 2.7 m. Kjo na jep mundësi ta shfrytëzojmë hapësirën mbi dyer. Për paradhomat që kanë sipërfaqe të vogla, apo janë të lidhura direkt me qëndrimin ditor, ju sugjerojmë që këto hapësira, ti shfrytëzoni për vendosjen e dollapëve, të cilët ju krijojnë hapësira shtesë për vendosjen e gardërobës apo gjërave tuaja të përditshme.
Hapësira mbi shtratin e fjetjes
Në rastin kur nuk keni hapësirë të mjaftueshme për magazinim të gardërobës suaj, dhe muret perimetrike të dhomës së fjetjes nuk janë të lira apo të përshtatshme për këtë funksion, mund ta shfrytëzoni hapësirën e murit mbi shtratin e fjetjes. Keni kujdes që këta dollapë, të jenë të përforcuar mirë në mur.
Edhe hapësira poshtë shtratit të fjetjes, është hapësirë e mirë për t’u shfrytëzuar për magazinim. Aty mund t’i organizoni dy sirtarë të përshtatshëm për vendosjen e mbathjeve tuaja.
Sado të jetë dhoma e fjetjes e vogël, nuk duhet harruar hapësirën për tualet (grim). Ajo, mund të jetë minimale, por është pjesë përbërëse e patejkalueshme e dhomës së gjumit.
Mundohuni që këto elemente funksionale të enterierit, të duken bukur edhe estetikisht, dhe mos ta ngarkojnë hapësirën tuaj të brendshme. Bëni që ato të jenë pjesë e integruar e dizajnit të hapësirës cilado qoftë ajo. Sepse fundja ajo është hapësira në të cilën ju kaloni një pjesë të konsiderueshme të kohës, dhe përpos komoditetit, duhet të jetë e kënaqshme edhe vizuelisht.
Mund të merrni edhe mendimin e ndonjë arkitekti.
Ju sugjerojmë, që të gjitha elementet e mobileve të cilat i mbivendosni në hapësirat sipër, t’ia përshtatni ngjyrën me atë të plafonit dhe mureve, në mënyrë që të mos bëhen pengesë vizuale në përjetimin e hapësirës, duke e ngulfatur atë. Preferohet ngjyra e bardhë, sepse ajo e krijon ndjenjën e zmadhimit të hapësirës. /Telegrafi/