Shfaqja koreografike “Echoes of Heritage” mbi veprën e Lorenc Antoni, nga Gëzim Sertollaj, është paraqitur të dielën mbrëma para publikut të pranishëm në oborrin e Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit.
Në përmbajtjen e saj, sipas organizatorëve, është shpalosur reflektimi mbi veprën muzikore të kompozitorit dhe etnomuzikologut, Lorenc Antoni, nga perceptimi i dimensionit koreografik, raporton Telegrafi.
“Kjo vepër paraqet një kërkim artistik në fushën e kërcimit duke zbërthyer përmbajtjen e krijimtarisë së Lorenc Antonit, por në të njëjtën kohë duke udhëtuar emocionalisht në këtë pasuri të trashëgimisë muzikore kombëtare shqiptare”, ka thënë prezantuesja e këtij programi, Vjollca Gurgule.
Sipas saj preokupimet artistike të kësaj performance vallëzuese janë trajtimi i botës shpirtërore të këtij krijuesi, teksa ekzistenca e një marrëdhënie dhe dialogu koreografik me krijimtarinë e tij të gjerë muzikore qëndrojnë në thelbin e kësaj vepre.
“Qëllimi është aktualizimi i vlerës, rëndësisë dhe kontributit që ka krijimtaria e kësaj figure të shquar të muzikës shqiptare, duke krijuar një bashkëbisedim me artin e kërcimit dhe duke theksuar aftësinë e këtij arti për të shprehur çdo moment të dimensionit artistik të muzikës “antoniane””, është shprehur Gurgule.
Në të njëjtën kohë, ka sqaruar se me këtë shfaqje, koreografi Gëzim Sërtollaj, mbron temën e masterit në Koreografi dhe Mësues, në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Pas përmbylljes së shfaqjes koreografike, autori i saj, Gëzim Sertollaj është shprehur i emocionuar me reagimin e ngrohtë të publikut.
“Vet prezenca e juaj për mua është një krenari dhe një mirënjohje e pafund”, është shprehur ai, raporton Telegrafi.
Ndërsa udhëheqësi artistik Artan Ibërshimi është shprehur tejet i kënaqur me realizimin e kësaj vepre, që sipas tij ka rritur nivele të larta profesionale e artistike.
Ai ka vlerësuar punën e koreografit Sertollaj.
“Ju konfirmoj se Gëzimi nuk është artist vetëm në skenë, por është artist edhe në studime shkencore”, ka thënë Ibërshimi.
Gjithashtu ka shprehur mirënjohje edhe për angazhimin e valltarëve tjerë në skenë, duke kërkuar mbështetje të mëtutjeshme institucionale për ta.
“Këtyre djemve e vajzave duhet t’ju japim mbështetje që ta vazhdojnë më tej traditën tonë, shpirtin kombëtar shqiptar”, ka thënë Ibërshimi.
Ky projekt artistik është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit si dhe nga Komuna e Prizrenit. /Telegrafi/