Telegrafi

Shfaqja “Komedi e zezë”, më 5 korrik premierë në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë

Më datë 05 korrik 2024, do të mbahet premiera e shfaqjes “Komedi e zezë”, në Teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë.

Shfaqja do të fillojë nga ora 20:00 dhe lejohet që të marrin pjesë vetëm të rriturit mbi 16 vjeç, transmeton Telegrafi.

“Shfaqja fillon në errësirë. Bekimi, një skulptor i ri dhe e fejuara e tij Edona kanë vjedhur disa antikuarë shumë të shtrenjtë tek fqinji Pajtimi për të zbukuruar banesën e tij të varfër, në mënyrë që t’i bëj përshtypje të atit të Edonës dhe një blerësi të mundshëm, pasaniku i quajtur Oliver. Para se të ftuarit të mbërrijnë, një siguresë elektrike bie në podrum duke shkaktuar errësirë. Skena ndriçohet në çast”, kështu përshkruhet shfaqja nga teatri “Avdush Hasani”.

Shfaqja është nën regjinë e Kastriot Saqipit ndërsa autorë i saj është Peter Shaffer.

Në këtë shfaqje do të luajnë: Muhamet Zeka, Ryva Kajtazi, Sindi Çitaku Azemi, Butrint Lumi, Besart Zeneli, Kujtesa Myftari, Gani Morina, Avni Dalipi. /Telegrafi/